Pas akuzave që i bëri drejtori sportiv i Paris Saint-Germainit, Antero Henrique, drejt Barcelonës, duke thënë se ata nuk i kishin respektuar rregullat e transferimit, klubi katalonas ka reaguar përmes një deklaratë të lëshuar për media.
Është bërë e qartë se PSG-ja dëshironte ta mbante mesfushorin Adrien Rabiot për një kohë më të gjatë në klub, mirëpo francezi i ka refuzuar të gjitha ofertat e bëra nga drejtuesit e klubit francez, pasi që dëshiron ta sigurojë një transferim në Barcelonë, transmeton Gazeta Express.
Për këtë arsye, Antero Henrique e kishte sulmuar publikisht klubin katalonas, duke thënë se ata nuk i respektojnë rregullat e futbollit, si dhe duke shtuar se oferta e bërë për Rabiotin është ofenduese për PSG-në.
“Barcelona dëshiron t’i adresojë lajmet e publikuara në Francë sa i përket transferimit të lojtarëve të Paris Saint-Germainit dhe ta bëjë të qartë se nuk ka shkelur asnjë rregull sa i përket kësaj”, shkruhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Barcelonës.
“Kontakti i vetëm u bë gjatë muajit gusht dhe para një javë. Në të dyja rastet, kontakti u bë me menaxherët sportiv të PSG-së për ta shfaqur interesimin e Barcelonës për futbollistin Adrien Rabiot”.
“Barcelona gjithmonë ka dashur të punojë me transparencën më të madhe në marrëveshjet me PSG-në dhe çfarëdo klubi tjetër. Barcelona e mohon ekzistencën e ndonjë marrëveshje me lojtarin e PSG-së, Adrien Rabiot”. /Gazeta Express/


