Jose Mourinho vazhdon të besojë se David de Gea do të nënshkruajë kontratë të re me Manchester Unitedin, duke pohuar se portieri spanjoll dëshiron të qëndrojë në klub.
“Djajtë e kuq” janë në rrezik ta humbasin njërin prej futbollistëve më vendimtar në mbarim të kontratës së tij aktuale, transmeton Gazeta Express.
Kontrata e De Geas skadon në verën e vitit 2019, por Unitedi e ka një opsion për ta aktivizuar zgjatjen e saj për edhe një vit, nëse është nevoja.
Mourinho është optimist kur bëhet fjalë për negociata, pasi tha mbrëmë pas fitores së Man Unitedit 1-0 ndaj Young Boys, në të cilën spanjolli ishte vendimtar me pritjet e tij, se De Gea është portier i klasit botëror.
“Ai është portieri më i mirë në botë dhe nëse keni ambicie për të qenë klubi më i mirë në botë, klub fitues, duhet ta keni portierin më të mirë në botë. Ne e kemi portierin më të mirë në botë dhe unë e di se ai dëshiron të qëndrojë. E di që agjenti i tij mund të bëjë çfarë të dojë dhe po ashtu e di që bordi e do atë të qëndrojë dhe po punon për këtë”, shtoi ai. /Express/


