Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka thënë se nuk ka mundur të vërë në rrezik Lionel Messin duke e futur në ndeshje ndaj Interit mbrëmë në Ligën e Kampionëve, edhe pse ai u kthye në stërvitje para kësaj ndeshjeje në “San Siro”.
Ylli argjentinas e theu dorën gjatë një ndeshjeje të La Ligës kundër Sevillës kah mesi i tetorit, transmeton Gazeta Express.
Messi pritej të mungonte të paktën tri javë, dhe t’i humbiste disa ndeshje vendimtare në ligë dhe në garat evropiane.
Ai mungoi në fitoren 5-1 të Barçës kundër Real Madridit, në fitoren e ngushta ndaj Rayo Vallecanos dhe Cultural Leonesa në ligë dhe kupë dhe nuk pritej të përfshihej në ndeshjen në udhëtim ndaj Interit në Champions.
Megjithatë, Messi u rikthye para kohe dhe udhëtoi me skuadrën drejt Italisë, megjithëse Valverde nuk e aktivizoi.
“Nuk kemi mundur të rrezikojmë me Messin. Të stërvitesh nuk është njëlloj si të luash. Folëm për këtë dhe ai e kuptoi”, tha Valverde


