Manchester City e ka mposhtur me lehtësi Brightonin të shtunën në “Etihad” duke e marrë pozitën e parë në Premierligë qoftë edhe përkohësisht.
Skuadra e Pep Guardiolas e ka vazhduar formën e lartë në ligë pas barazimit zhgënjyes në javën e tretë, dhe tani me fitoren 2-0 ndaj Brightonit në “Etihad” e ka realizuar fitoren e katërt më radhë, raporton Gazeta Express.
Pas shumë përpjekjeve, Manchester City e theu akullin falë Raheem Sterling që shënoi pas gjysmë ore loje.
City shënoi edhe një herë në pjesën e dytë, një gol shumë të bukur të realizuar nga Kun Aguero, pas një aksioni fantastik të nisur pikërisht nga argjentinasi.
Kjo i mjaftoi vendasve për ta fituar edhe ndeshjen e katërt radhazi dhe për t’u ngjitur në vendin e parë, të paktën deri sa të zhvillohet takimi mes Chelsea dhe Liverpool.
City ka 19 pikë në vendin e parë, Liverpool 18 në të dytin dhe Chelsea 16 në të tretin, por këto dy të fundit kanë një takim më pak të zhvilluar, atë nder vete. /Gazeta Express/


