Ish-sulmuesi i Chelseat, Tony Cascarino, beson se lojtari belg i të kaltërve, Eden Hazard, është lojtari më i talentuar që ka veshur ndonjëherë fanellën e klubit londinez, si dhe e krahason belgun me lojtarët e tjerë legjendarë në këtë klub.
Hazardi pati një performancë të mrekullueshme në ndeshjen kundër Cardiffit të shtunën, ku i shënoi tri gola. Tani, ai ka më së shumti gola të shënuar në këtë sezon të Premierligës, përcjell Gazeta Express.
27-vjeçari u transferua në Chelsea nga Lille në vitin 2012 për 35 milionë euro. Që nga atëherë, ai është ndër një ndër lojtarët më vlerësuar në Chelsea, ku i ka bërë 300 paraqitje, gjatë së cilave i ka shënuar 94 gola.
Gjatë kësaj periudhe gjashtëvjeçare në Angli, Hazardi është vlerësuar si një ndër mesfushorët më emocionues në futbollin evropian. Ai vlerësohet shumë nga tifozët dhe ekspertët e futbollit për teknikën e tij të driblimit dhe kreativitetin e tij në repartin e sulmit.
Ai është lojtari më i rëndësishëm për Kombëtaren e Belgjikës në rrugëtimin e tyre në turneun e Kupës së Botës në Rusi këtë verë. Ai i ndihmoi Kombëtares së tij të arrinte deri në gjysmëfinale, ku u mposhtën nga Franca me rezultat 1-0.
Emërimi i Maurizio Sarrit në pozitën e trajnerit të Chelseat i ka ndihmuar edhe më shumë Hazardit, pasi që ia lejon këtij të fundit të përfshihet edhe më shumë në fazën e sulmit.
“Chelsea ka pasur shumë lojtarë të mrekullueshëm nga Peter Osgood te John Terry dhe Didier Drogba. Por, Eden Hazardi është lojtari më i talentuar në historinë e klubit”, shkruan Cascarino në një artikull të tij në The Times.
“Ai ka pak nga gjithçka, është i kompletuar. Biznesi më i mirë që e bënë Chelsea gjatë afatit kalimtar të verës ishte mbajtja e Hazardit. Ai nuk u zemërua që nuk e lejuan të largohet, përkundër interesimit të Real Madridit”.
“Numri i golave që ai i ka shënuar nuk është shumë më i vogël se ai i Drogbas, përkundër faktit se ai nuk është sulmues. Ai ka fituar trofe me klubin si dhe çmime individuale si lojtari më i mirë i vitit, por ende nuk i ka marrë lëvdatat që i meriton”.
“Ndoshta sepse ai nuk performoi edhe aq mirë gjatë kohës sa ishte Jose Mourinho trajner i Chelseat, njerëzit nuk e vlerësojnë atë aq sa duhet. Por, tifozët e Chelseat duhet ta dinë se janë duke e shikuar dike që nuk është vetëm një ndër lojtarët më të mirë në Evropë, por është edhe lojtari më i mirë që kanë pasur ndonjëherë në klub”. /Gazeta Express/


