Sulmuesi spanjoll i Chelseat, Alvaro Morata, ka bërë të ditur se taktikat e përdorura nga ish-trajneri i klubit londinez, Antonio Conte, ishin një nga arsyet pse ai kishte vuajtur gjatë sezonit të tij të parë në Premierligë me klubin e tij të ri.
Morata e kishte filluar sezonin e tij të parë në Premierligë në mënyrë të jashtëzakonshme, duke shënuar gjashtë gola në gjashtë paraqitje për Chelsean, por gjërat ndryshuan shpejt dhe Morata arriti ta shënojë vetëm një gol gjatë vitin 2018, përcjell Gazeta Express.
Për shkak të një problemi në shpinë, ai nuk arriti të luajë në shumë ndeshje, dhe i shënoi vetëm edhe pesë gola të tjera për skuadrën e tij të re, katër prej të cilave ishin në gara të kupave të ndryshme e jo në Premierligë.
Që nga emërimi i Maurizio Sarrit në pozitën e trajnerit të Chelseat, duket se Morata i është rikthyer formës së tij, duke e shënuar golin e tij të parë të këtij sezoni në ndeshjen kundër Arsenalit, të cilën “Të kaltrit” e fituan me rezultat 3-2.
Morata ka bërë të ditur se ai ndihet më rehat me trajnerin e ri, Maurizio Sarrin, pasi që stili i tij është më i përshtatshëm me taktikat dhe stilin e lojës së Sarrit. Të njëjtën gjë e kanë thënë edhe dy bashkëlojtarë të tij, Willian dhe David Luiz.
“A ndihem më rehat? Po, po, po. Për mua, po. Nuk është për asgjë, por është për shkak të stilit të lojës. Stili i lojës së Contes nuk më përshtatej dhe unë vuajta pak për shkak të kësaj”, ka thënë Morata. /Gazeta Express/


