Real Madridi dje zyrtarizoi transferimin e portierit të Chelseat, Thibaut Courtois. Pas transferimit të tij ai bëhet lojtari i 45-të, i cili ka luajtur për të dy klubet madrilene.
Courtois ishte dërguar te Atletico Madridi në huazim për dy vite pas transferimit të tij në Chelsea nga Genk, dhe nuk është mbajtur fare sekret se ai dëshiron të kthehet në kryeqytetin spanjollm, transmeton Gazeta Express.
Transferimet midis my klubeve madrilene kanë qenë të pakta dhe të rralla. Transferimi i Theo Hernandezit në vitin 2017 e prishi paktin mes dy klubeve për të mos transferuar lojtarë drejtpërdrejtë nga njëri-tjetri.
Portieri belg do të bëhet portieri i shtatë në histori që ka luajtur për dy klubet më të famshme të Madridit.
Lojtari më i famshëm i cili ka luajtur për dy klubet madrilene është Raul Gonzalez. Si lojtar në akademinë e Atletico Madridit, Raul nuk u konsiderua mjaftueshëm i mirë për të qenë në ekipin e parë. Por, pas transferimit në Real Madrid ai e shfaqi talentin e tij dhe arriti të shkruhej në historinë e klubit duke u bërë një nga golashënuesit më të mirë në histori të klubit. /Gazeta Express/


