Trajneri i ri i Real Madridit, Julen Lopetegui, ka refuzuar të diskutojë për transferimin e portierit të Chelseat, Thibaut Courtois dhe ka insistuar që klubi ka besim të plotë te portieri Keylor Navas.
Belgu Courtois nuk është kthyer për ushtrime për sezonin e ri për shkak se dëshiron të transferohet në Real Madrid. Gjithashtu, ai nuk është pjesë e skuadrës që luajti në turneun parasezonal në SHBA, International Champions Cup, përcjell Gazeta Express.
Në konferencën për shtyp pas fitores së klubit të tij me rezultat 2-1 kundër Romës, Lopetegui nuk pranoi të flasë Courtois pasi që ai nuk është lojtar i klubit madrilen.
“Siç kam thënë edhe më parë, unë nuk flas për lojtarë që nuk i përkasin Real Madridit. Unë flas vetëm për ata që janë në Real Madrid dhe kjo nuk do të ndryshoj as sot”, ka thënë strategu spanjoll.
“A e patë sot? Keylor është portieri ynë. Ai është këtu. Nuk ka asnjë portier tjetër për të cilin mund të flasim. Keylor është i jashtëzakonshëm. Ai ka qenë i jashtëzakonshëm gjatë gjithë turneut parasezonal. Ai është i lumtur që është me Real Madridin dhe ne jemi të lumtur që e kemi”. /Gazeta Express/


