Pas Courtois dhe Hazard, një tjetër lojtar i Chelseat ka përfunduar në shënjestrën e skuadrës së Real Madridit.
Bëhet fjalë për mbrojtësin spanjoll Marcos Alonso, që sipas të përditshmes “Don Balon” është vënë në radarët e skuadrës “merengues”.
Mbrojtësi i Chelseat ka qenë një ndër më të mirët sezonet e fundit në Premierligë dhe një titullar i padiskutueshëm, por ndoshta e ardhmja e tij mund të jetë Spanja, aty ku nuk ka shpërthyer asnjëherë si lojtar.
Edhe pse trajneri Julen Lopetegui nuk e grumbulloi në Kombëtare në Botëror, ai ka shprehur konsiderata për mbrojtësin 27-vjeçar dhe kërkon ta sjellë atë në Spanjë.
Alonso ka luajtur vetëm një ndeshje zyrtare me Real Madridin në vitin 2010 dhe më pas u largua, ndërkohë që karrierën si futbollist e ka nisur me skuadrën B të Real Madridit.
Tashmë pritet që palët të nisin bisedimet, por vështirë se trajneri Sarri do të lërë të lirë lojtarin, pak ditë para fillimit të kampionatit.
Gjyshi i lojtarit, Marcos Alonso Imaz, ishte lojtar i Real Madridit gjatë viteve të 50-ta, dhe kjo mund të ndikoj që nipi t’i ndjekë hapat e tij. /Gazeta Express/


