Ka qenë pothuajse e sigurt se prezenca e Cristiano Ronaldos në Serie A do t’i ndryshojë gjërat, dhe kjo është dëshmuar menjëherë me rritjen enorme të çmimit të biletave për ndeshjen Parma – Juventus, ku portugezi pritet të debutojë.
Superylli portugez e ndërroi Real Madridin për Juventusin këtë verë në bazë të një marrëveshjeje në vlerë 100 milionë euro, dhe tani për herë të parë në karrierën e tij, do ta shfaqë talentin e tij edhe në Serie A, transmeton Gazeta Express.
Parma do të jetë nikoqire e Juventusit në ndeshjen e parë të sezonit të ri për të dy klubet, dhe nëse deri tani adhuruesit nuk i kanë blerë biletat për ta parë Ronaldon duke debutuar për klubin e tij të ri në “Stadio Ennio Tardini”, atëherë do t’iu duhet të harxhojnë më shumë se normalisht.
Sipas Tuttosportit, ulëset në seksionin verior të stadiumit normalisht do të kushtonin 25 euro. Por, bileta në tregun dytësor për një ulëse në atë pjesë tani kushton hic më pak se 178 euro.
E tiketa sezonale në atë seksion të stadiumit të Parmës kushton 190 euro.
Ka edhe më keq, në seksionet tjera të stadiumit, një tiketë 60 eurosh do të kushtojë 190 euro, ajo e 70 eurove do të kushtojë 233 euro, ndërsa jo e 100 eurove do të kushtojë 386 euro. Ndërsa bileta më e shtrenjtë për ulësen më të mirë që në kushte normale kushton 150 euro, tani kushton plot 450 euro. /Gazeta Express/


