Oscar Tabarez ka thënë se nuk mundet një lojtar që ta ndalë Cristiano Ronaldon.
Trajneri i Uruguajt paralajmëroi lojtarët se duhet i gjithë ekipi të punojë shumë për t’ia bërë të vështirë kapitenit të Portugalisë në 1/8 e finales të Kupës së botës.
Roanldo ka qenë në formë fantastike në Rusi, duke shënuar katër gola në tri paraqitje, për ta ndihmuar kampionin e Evropës Portugalinë që të arrijë në mesin e 16 më të mirave.
Në stadiumin “Fisht” të shtunën në Sochi të gjithë sytë do të jenë te pesë herë fituesi i Topit të Artë, nga i cili do t’i kanoset rreziku më i madh ekipit të Tabarezit.
Por, ai thotë se CR7 nuk do t’ia prishë gjumin para përballjes me Portugalinë.
“Besoj se Cristiano është një ndër sulmuesit më të mirë në botë. Ai është lider i ekipit. Do ta bëjmë gjumin për shtatë palë qejfe, nuk ka për të na e prishur Ronaldo. Sigurisht që nuk do ta markojë Godin, por do të jetë një punë kolektive”, tha ai.
“Atë nuk mund ta ndalë një lojtar. Duhet të punojmë kolektivisht dhe të tentojmë ta ndalim, ose të përgjysmojmë efektin e asaj që mund të bëjë ai”.
Tabarez më pas foli për ndeshjen e nesërme që do të zhvillohet nga ora 20:00.
“Do të jetë ndeshje e mirë. Nuk do të mbesim pa gjumë për këtë ndeshje, nuk do t’i japim më shumë rëndësi se që duhet. Nuk jemi të fiksuar. Është e vështirë për të fituar, veçanërisht nëse nuk jeni të fokusuar. Kështu që do të sillemi si gjithmonë”, shtoi ai.
Ndeshja mes Portugalisë e Uruguait zhvillohet në ora 20:00, pak pas ndeshjes Francë – Argjentinë.
Fituesit e këtyre dy dueleve, do të përballen në çerekfinale të Kupës së Botës. /Gazeta Express/


