Është e pamundur të ndalësh Lionel Messin dhe formula për ta arritur një gjë të tillë ende nuk është zbuluar nga askush, sipas Ivan Rakiticit.
Duke e pranuar se ky mund të jetë Botërori i tij i fundit pas 11 viteve në ekipin kombëtar të Kroacisë, Ivan Rakitic megjithatë është optimist se ai dhe shokët e tij mund të bëjë diçka të veçantë në Rusi, duke arritur diçka që askush më parë s’e ka arritur: ta gjejë formulën për ta ndalur Lionel Messin, transmeton Gazeta Express.
Në një intervistë të gjatë disa ditë para Kupës së Botës në Rusi, mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitic, ka folur për këtë ngjarje të madhe, Kroacinë dhe bashkëlojtarin e tij, Leo Messin.
I pyetur se a ka biseduar me trajnerin e Kroacisë, Zlatko Dalic, për mënyrën se si të ndalet Lionel Messi, Rakitic ka thënë se as ai e as Dalic nuk mund ta arrijë një gjë të tillë.
“Në futboll askush s’e ka gjetur formulën për atë sesi ta ndalë Messin. As Dalic, as unë, e askush tjetër. Çfarë duhet të bëjmë është të kënaqemi duke e shikuar”, ka thënë Rakitic. /Gazeta Express/


