Napoli ka refuzuar 45 milionë euro plus bonuse nga Man City për Jorginhon.
Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis zbulon prapaskenat e refuzimit të rinovimit të kontratës me Maurizio Sarrin, teksa ka folur gjatë edhe mbi merkaton tashmë nën drejtimin e teknikut të ri Carlo Ancelotti, për të përditshmen sportive italiane “Corriere dello Sport”.
Ai zbulon se ka refuzuar 45 milionë euro (plus 5 bonus) nga Manchester City për Jorginhon. Ndërsa për sllovakun Hamsik shprehet se është i lirë të largohet, nëse vërtet dëshiron të transferohet në Kinë.
“Maurizio (Sarri) më lëndoi kur më tha se, me kontratën e re donte të pasurohej. E konsiderova si një ofendim, duke qenë se vinte nga dikush që jeton në një shtet që prej vitesh po përjeton recesion. Dikush që fiton 3 milionë euro në sezon, ose më mirë 4 mln përfshi shpërblimet, nuk mund të deklarojë diçka të tillë”, ka thënë padroni i klubit napolitan.
Për të kaluar tek e tashmja dhe e ardhmja nën siglën “Ancelotti”, ai shprehet:
“Carlo është çelësi i ndërkombëtarëzimit të Napolit. Ai dëshiron të ruajë gati 80% të organikës aktuale të klubit, pasi e konsideron të një niveli të shkëlqyer. Objektivat tona janë një portier, një mbrojtës krahu, një mesfushor dhe një sulmues krahu”.
Goditja e parë duket se do të jetë një sulmues i spikatur i këtij sezoni me Bolognën.
“Verdi? Besoj se kemi bërë mjaftueshëm dhe do t’i sigurojmë shërbimet e tij”. /Gazeta Express/


