45 milionë euro në sezon, aq sa Lionel Messi – kjo është oferta e PSG-së për Ronaldon.
“Ishte shumë mirë të jem në Madrid, pas pak ditësh do të flas…”, kështu deklaroi Cristiano Ronaldo natën ku Real Madridi shkroi histori, duke fituar për herë të tretë me radhë Ligën e Kampionëve, të 13-ën në histori.
Portugezi nuk e ka mohuar mundësinë e largimit nga “Santiago Bernabeu” pas nëntë sezoneve, duke shtuar se kjo nuk ka të bëjë me para, por për shkak të disa problemeve me numrin një të klubit, Florentino Perez, probleme që ende nuk janë zbuluar në të vërtetë…
Përveç Manchester Unitedit, që dëshiron ta kthejë në “Old Trafford” pesë herë fituesin e “Topit të Artë”, interesim ka shprehur edhe PSG-ja.
Sipas AS, klubi francez ka bërë gati 45 milionë në sezon për Ronaldon, dyfishin e asaj që fiton në Madrid, teksa me këtë pagë do të barazonte Lionel Messi si një ndër lojtarët më të paguar në botë. /Gazeta Express/


