Cristiano Ronaldo po e kalon sezonin më të dobët në karrierën individuale. Ylli portugez ka realizuar vetëm 25 gola këtë edicion në La Liga, që i bie se i ka regjistruar statistikat më të dobëta që prej arritjes së tij në Real Madrid në vitin 2009. 33-vjeçari ndërkohë ka qenë i frytshëm në Evropë, duke i shënuar 15 gola në 12 ndeshje. CR7 nuk ka shënuar asnjëherë nga distanca këtë sezon, shkruan “Gazeta Zeri”.
Cristiano Ronaldo e ka shijuar një tjetër sezon të suksesshëm me Real Madridin, por ylli portugez ka dështuar ta arrijë standardin e tij rreth golave të shënuar.
Ndërkohë, derisa sezoni në La Liga po shkon drejt fundit, Reali do të luajë gjatë fundjavës me Villarealin, para se të përballet me Liverpoolin në finale të Ligës së Kampionëve në fund të javës që vjen.
Deri tash Ronaldo i ka realizuar 25 gola, numrat e tij më të ulët brenda një sezoni qëkur i ishte bashkuar klubit madrilen në vitin 2009.
Ronaldo i kishte realizuar 25 gola edhe sezonin e kaluar, por sivjet ka regjistruar edhe më pak minuta. Edhe nëse CR7 i kompleton 90 minuta këtë fundjavë do të arrijë vetëm në shifrën e 2.230 minutave këtë edicion.
Rekordi sezonal, 48 gola
Ndërkohë, rekordin ai e kishte regjistruar në edicionin 2014-15, kur i kishte shënuar 48 gola në La Liga.
Përpos dy sezoneve të fundit, hera e fundit kur ai e kishte një sezon me statistika më të dobëta ishte ai 2009/10, kur i ishte bashkuar Realit dhe në atë edicion i kishte shënuar 26 gola në fillim të ambientimit të tij me jetën në Spanjë.
Një tjetër fakt që Ronaldo nuk ishte në sistemin e duhur ishte se ai ka gjuajtur drejt portës vetëm 173 herë këtë sezon, statistikat e dyta më të dobëta qëkur i ishte bashkuar Realit, edhe pse mesatarja e golave për minuta (çdo 89 minuta) është më e mirë se në vitin 2010 dhe 2016.
Çuditërisht Ronaldo nuk ka shënuar ende jashtë 16-metërshit në La Liga këtë sezon, edhe pse reputacioni i tij njihet mbi të gjitha për golat nga distanca.
Nëse e krahasojmë me sezonin 2009-10, kur i kishte shënuar 19 për qind të golave të tij nga jashtë 16-metërshit, statistikat e tashme duken jonormale.
Natyrisht kjo po ashtu nënkupton se Ronaldo nuk ka shënuar nga gjuajtja e lirë për herë të parë gjatë tërë sezonit. Sidoqoftë, numrat e tij nga “topat e vdekur” kanë qenë gjithmonë të ulët. Ai kishte shënuar dy herë në vitet 2015 e 2016 dhe një herë në atë 2017.
Edhe pse tifozët rivalë e quajnë “Penaldo”, Ronaldo ka shënuar vetëm tri herë nga penalltia këtë sezon, për dallim nga 12 gola që i kishte realizuar në vitin 2012.
Ndër të tjera, edhe pse shihet si një lojtar që luan me të dyja këmbët Ronaldo i ka realizuar 56% të golave të tij me këmbën e djathtë. Ai i ka shënuar vetëm katër gola me kokë.


