Mbrojtësi i djathtë i Paris Saint-Germainit, Dani Alves, u detyruar ta linte fushën i lënduar në triumfin e skuadrës së tij në finalen e Kupës së Francës kundër Les Herbiers të martën mbrëma. Në Brazil druhen se ky lëndim do ta lërë atë jashtë Kupës së Botës.
Pjesëmarrja e Dani Alvesit në Kupën e Botës është në rrezik. Lëndimi në ligamentet e gjurit të djathtë mund ta lërë atë jashtë skuadrës së Brazilit për Botërorin në Rusi, i cili do të zhvillohet muajin e ardhshëm, transmeton Gazeta Express.
PSG-ja nuk ka lëshuar asnjë deklaratë për ta shpjeguar lëndimin e mbrojtësit. Megjithatë, doktori i ekipit kombëtar të Brazilit, Rodrigo Lasmar, ka rënë në kontakt me ekipin mjekësor të PSG-së për ta mësuar vlerësim e tyre për lëndimin e Alvesit.
Alves do të ekzaminohet të premten në Spitalin Amerikan të Parisit për të kuptuar shtrirjen e lëndimit të tij në gju. /Express/


