Lionel Messi ka thënë se Barcelona duhet ta çmojë dhe festojë siç duhet titullin në La Liga, të cilin e siguroi të dielën mbrëma pas fitores 4-2 kundër Deportivo La Corunas në udhëtim, katër ndeshje pa përfunduar kampionati i sivjetmë.
Messi realizoi het-trik duke ia siguruar Barçës fitoren ndaj Deportivos, e cila ia solli titullin e 25-të në La Liga dhe të shtatin në dekadën e fundit, transmeton Gazeta Express.
Në 34 ndeshjet e zhvilluara në këtë sezon në ligë, Barcelona vazhdon të mbetet e pamposhtur, me 26 fitore dhe tetë barazime.
“Ne e dimë sa e vështirë është ta fitosh La Ligën, prandaj duhet ta çmojmë dhe ta festojmë siç duhet me të gjithë njerëzit”, ka thënë Messi pas ndeshjes.
“Ka qenë titull i veçantë për të gjithë ne sepse ende s’e kemi humbur asnjë ndeshje. Kemi pasur momente të vështira dhe i kemi tejkaluar ato pa e provuar ndjesinë e humbjes, gjë që është e jashtëzakonshme. Kemi qenë superior ndaj rivalëve tanë dhe nuk e kemi humbur pothuajse asnjë ndeshje [në të gjitha garat], vetëm një në Kupën e Mbretit dhe fatkeqësisht atë kundër Romës, ku patëm rezultat të papritur”, shtoi ai. /Gazeta Express/


