Sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, ka thënë se është ofenduar nga një mosmarrëveshje e vazhdueshme me Federatën e Futbollit të Egjiptit për përfaqësimin e të drejtave të imazhit të tij.
Anësori i Liverpoolit është shfaqur në një fotografi ekipore në aeroplanin zyrtar të Egjiptit, e siguruar nga sponsori zyrtar WE, transmeton Gazeta Express.
Salah, i cili është top golashënuesi i Premierligës këtë sezon, ka marrëveshje personale për sponsorisim me rivalin e telekomunikimit të WE-së, Vodafonin.
Të shtunën, agjenti i Salahs, Rammy Abbas, shkroi në Twitter në lidhje me këtë situatë: “As që jemi kontaktuar për të gjetur një zgjidhje. Asgjë! Heshtje e totale! Cili është plani? Do të shohim shumë e më shumë bilborda dhe reklama të cilat s’i kemi autorizuar asnjëherë! Çfarë ndikimi është duke pasur kjo sipas tyre? Të mirë? Sidoqoftë, kjo duhet të rregullohet menjëherë”.
Edhe Salah e ka ngritur zërin për këtë çështje përmes një statusi në Twitter në gjuhën arabe, të cilin e postoi të dielën: “Më vjen keq ama ky është ofendim i madh… po shpresoja se marrëveshja do të ishte më klasë se kaq”. /Express/


