Fundjava që shkoi do të mbetet gjatë në kujtesën e Meritan Shabanit.
Futbollisti i ri shqiptar ka debutuar me ekipin e parë të Bayern Munichut në ndeshjen ndaj Eintracht Frankfurtit në kuadër të xhiros së 32-të të Bundesligës.
Në fakt, trajneri Jupp Heynckes ua dha rastin disa futbollistëve të rinj, duke përfshirë këtu edhe Shabanin, pasi lojtarët kryesorë i ruajti për ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale ndaj Real Madridit, që do ta zhvillojë gjiganti bavarez këtë fundjavë, shkruan “Zëri”.
Dhe, futbollisti shqiptar ishte njëri prej tre të rinjve që debutoi me ekipin e parë dhe pa dyshim se ky është një debutim ëndrrash për të.
“Të luash me ekipin e parë është natyrisht diçka mjaft speciale për mua, diçka që e kam ëndërruar qëkur isha fëmijë. Të luaj në fushë përkrah yjeve të tillë të futbollit botëror më bën jashtëzakonisht krenar dhe po ashtu më shtyn të mundohem të përmirësohem”, ka thënë Shabani, transmeton “Zeri.info”.
Uebfaqja zyrtare e Bundesligas ia ka kushtuar një shkrim special Meritonit, duke e prezantuar atë. 19-vjeçari ka luajtur në pozitën e 10-shit në ekipin U-21 të Bayernit, ndërsa luan edhe në disa pozita të tjera. Ai është pjesë e Bayernit që nga mosha shtatëvjeçare, nga viti 2006.
Ai e ka kaluar sezonin 2016/17 në krahë, por në sezonin aktual ka startuar edhe si sulmues i dytë. Në janar Shabani luajti në pjesën e dytë në fitoren e Bayernit 5:3 ndaj Grosaspach, duke luajtur në qendër të mesfushës përkrah Franck Riberyt e Manuel Friedl.
“Shabani ishte përfshirë në miqësoren tonë ndaj Grosaspach dhe kishte luajtur mjaft mirë. Ai është pjesë e një grupi mjaft të talentuar të rinjsh”, ka thënë trajneri Jupp Heynckes.
Ai po tregohet mjaft i suksesshëm me ekipin U-19, me të cilin ekip ka realizuar 8 gola dhe ka dhuruar 5 asistime në 18 ndeshje kampionale në ekipin e Sebastian Hoenes. Ai ka luajtur edhe në UEFA Youth League, respektivisht në Ligën e Kampionëve të të rinjve.
Shabani kishte pasime të sakta 68,8 për qind dhe i ka fituar shtatë duele. Ai ka vrapuar 5 kilometra, ka bërë 28 prekje të topit dhe i ka realizuar 16 sprinte. /ZËRI/


