Allegri e pranon, ndeshja me Interin në “Giuseppe Meazza”, është pothuajse vendimtare sezonin e “Zonjës së Vjetër”.
Një pikë, kaq është diferenca në Serie A mes liderit e vendit të dytë, pas fitores së madhe të Napolit kundër Juventusit në “Allianz Stadium”, 0-1, shkruan Gazeta Express.
Mbrojtësi, Kalidou Koulibaly, në minutën e 90’, shokoi vendasit për ta rihapur seriozisht garën për titull.
Diferenca mes Juves e Napolit tani është vetëm një pikë, 84 me 85 – kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund e sipas Max Allegrit, tani gjithçka mund të ndodhë.
Ai e ka cilësuar sfidën e radhës, atë kundër Interit në “Giuseppe Meazza”, si më të rëndësishmen dhe si një sfidë shumë vendimtare për titull.
Deri në fund, përveç Interit, Juventusi do të luajë edhe me Bolognan, Romën (në Olimpico) dhe Veronën, kurse katër sfidat mbetura, Napoli do t’i luajë kundër: Fiorentina, Torino, Sampdoria dhe Crotone.
“Ishte ndeshje direkte dhe e kemi ditur se gjithçka mund të ndodhë, megjithëse ne kishim përparësi, pasi edhe barazimi do të na konvenonte shumë”, u shpreh Allegri.
“Sido që të jetë, tani duhet të pushojmë një ditë e më pas të përgatitemi për sfidën që unë mendoj se është vendimtare për sezonin tonë, ajo kundër Interit”, tha Allegri.
“Ende jemi lider dhe kemi avantazh. Kanë mbetur katër ndeshje, dy jashtë, kështu që do të shohim çfarë do të ndodhë”.
Interi dhe Juve do të përballen me 28 prill, këtë të shtune në “Giuseppe Meazza”. /Gazeta Express/


