Zlatan Ibrahimovic ka deklaruar se do të marrë pjesë në Kupën e Botës këtë verë në Rusi – edhe pse ka refuzuar të theksojë nëse do të luajë në këtë turne.
Në javët e fundit është spekuluar se ylli i LA Galaxy do të kthehet nga pensionimi për të luajtur në Kupën e Botës në Rusi, ku Suedia e nis kampanjën kundër Koresë së Jugut në Nizhny Novgorod më 18 qershor, transmeton Gazeta Express.
Ibrahimovic shkroi në Twitter javën e kaluar për të paralajmëruar se shanset e tij për të marrë pjesë në këtë turne ishin të mëdha, me tri gola në tri ndeshjet e fundit që prej transferimit në MLS nga Manchester Unitedi që kanë treguar se ai është riaftësuar mirë nga lëndimi i rëndë në gju.
Tani, 36-vjeçari ka konfirmuar se do të jetë në Rusi për Kupën e Botës, edhe pse detajet e sakta të pjesëmarrjes së tij nuk dihen ende.
Duke folur për emisionin e Jimmy Kimmel, Ibra ka thënë: “Do të shkoj në Kupën e Botës, po. Nëse them më shumë, më varin, prandaj duhet të jem i kujdesshëm çfarë them”.
“Kupa e Botës nuk është Kupë e Botës pa mua”, shtoi ai. /Gazeta Express/


