Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin, ka thënë se video asistenti i referimit (VAR), do të jetë në Ligën e Kampionëve një ditë, por gjithsesi nuk do të kishte ndryshuar asgjë në ndeshjen mes Real Madridit dhe Juventusit.
Gjiganti italian u eliminua nga një penallti e akorduar në sekondat e fundit, të cilën e konvertoi në gol Cristiano Ronaldo, pas të cilës presidenti i Juves, Andrea Agnelli, kërkoi që VAR-i të jetë prezent edhe në Champions, duke insistuar se gjyqtari Michale Oliver gaboi në vendimin e tij, transmeton Gazeta Express.
“Liga e Kampionëve është si Ferrari apo Porsche, nuk mund ta ngasësh menjëherë, duhet të stërvitesh dhe ta testosh. Të gjithë duhet ta kuptojnë se si funksionon”, ka thënë Ceferino për Gazzetta dello Sport.
“Është herët për VAR, por kjo nuk do të thotë kurrë. Ky proces është i pashmangshëm, do ta kemi një ditë edhe në Ligën e Kampionëve, por s’kemi pse të ngutemi. Pastaj, më falni, por çfarë do të ndryshonte VAR-i në ndeshjen Real Madridi-Juventus? Asgjë”, shtoi ai. /Gazeta Express/


