Umtiti nuk dëshiron të largohet nga Barcelona, por do ta bëjë këtë nëse katalunasit nuk i ofrojnë rinovimin e kontratës me kushte më të mira ekonomike.
Samuel Umtiti është përfshirë mbrëmë në një autogol të Romës, ndeshje të cilën e fitoi Barcelona me rezultat 4-1. Për shkak se pati gisht dhe e detyroi Kostas Manolasin të shënoi autogol, Umtiti e festoi atë duke prekur logon e Barçës, për të treguar kështu dashurinë që ka për katalunasit.
Por, mediat në Spanjë raportojnë se Umtiti do të qëndrojë në Camp Nou vetëm nëse i ofrohet rinovimi i kontratës, kjo është dëshira e francezit që gjithashtu dëshiron edhe përmirësime sa i përket kushteve ekonomike.
“Festimi është si gjithë të tjerët, vetëm doja të tregoja se sa shumë e dua këtë klub”, u shpreh Umtiti për “beIN Sports”.
“Unë vetëm dua të luaj dhe t’i bëj gjërat si është më së miri. Kjo është më e rëndësishme për mua. Të tjerat janë çështje mediash, disa janë të vërteta, disa gënjeshtra, por unë jam i fokusuar vetëm në futboll”, shtoi Umtiti.
Umtiti po kërkohet me ngulm nga Manchester United. /Gazeta Express/


