E dhimbshme: Hasbiu nga Lipjani mezi përballon sëmundjen e varfërinë

PUBLIKUAR

I mbetur i vetëm në shtëpinë e cila nuk i plotësonte kushtet për të banuar, Hasbi Llukiqi nga fshati Dobrajë , Komuna e Lipjanit nuk kishte askënd që t’i ndajë dy llafe me të.

Ky njeri rreth 60 vjeçar dukej tejet i lodhur, kishte veshur rroba të leckosura dhe në dorë mbante një shkop të cilin mbahej teksa ecte. Këmba e tij ishte e lënduar shumë dhe mezi e lëvizte. Kështu që ai shkop ishte ndihmesë tejet e madhe për këtë njeri.

Shtëpinë e tij dydhomëshe e kishte kapluar myku e lagështia e vende-vende ajo ishte e çarë.

Enë të ndryshme e të vjetra ishin të shpërndara e po ashtu edhe rroba, dyshemeja me një cope tepih të vogël e që dukej e papastër.

Mirëpo nuk kishte faj as Hasbiu, sepse mosha dhe sëmundja e tij nuk mund të përballonin këtë gjë.

Ai i zhgënjyer tregon kushtet në të cilat jeton.

“Tani jam vetëm në shtëpi, por këtu me mua jeton edhe gruaja e vëllait e cila i ka katër fëmijë, mirëpo ajo qëndron më shumë tek familja e saj, sepse vëllai më ka vdekur”, thotë Hasbiu.

“Këtu jetojmë në kushte tejet të vështira, hapësira e shtëpisë është e ngushtë. Po ashtu muret e shtëpisë janë të lagështa dhe është çarë në shumë vende, mirëpo nuk kemi ku të shkojmë tjetër dhe po qëndrojmë këtu”, shton ai, që po qëndronte mezi ulur për shkak të këmbës së lënduar.

Një injeksion kushton 25 euro

Hasbiu nuk ishte i martuar dhe mezi ia dilte të kujdesej për veten, mirëpo mundohej aq sa mundej që së paku të mos bëhej barrë që gruaja e vëllait të kujdesej për të.

“Nuk jam i martuar dhe mundohem që të mos bëhem barrë e askujt dhe të kujdesem për vete aq sa mundem. Këmbën e kam lënduar në vitin 2006 ku jam rrëzuar dhe jam lënduar tejet shumë. E tani po duhet ta mbaj këtë shkop që të eci, sepse pa të nuk mundem fare”, ka shtuar ai.

Ishte tejet e vështirë për Hasbiun pasi që nuk kishte para për tu shëruar tek mjekët në mënyrë që ta shëronte këmbën.

“Jam duke i përdorë disa barna por nuk po kam para për të shkuar te ndonjë mjek specialist që të kontrollohem e të shoh nëse do të mund të kem shërim. Injeksionin të cilin e blej për këmbë kushton 25 euro, shumë kjo shumë e madhe për një njeri si unë”, tregon ai duke tundur kokën.

Punoi 30 vjet, merr 40 euro

Familja e vëllait të tij merr vetëm 75 euro ndihmë sociale dhe askush nga familjarët nuk punon dhe kjo ndihmë është shumë e vogël dhe nuk iu mjafton.

“Çfarë të bëjmë me 75 euro? Të blejmë ushqim apo barna? Fëmijët e vëllait janë në shkollë, edhe atyre u duhet veshmbathje e gjëra tjera”.

Gjëja që më së shumti e shqetëson Hasbiun është fakti se ndonëse kishte punuar rreth 30 vite, tanimë merr vetëm 40 euro.

“Kam punuar në një shkollë si punëtor teknik për 30 vite”, thotë ndër tjerash Hasbiu. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Rrahje masive për një pronë, arrestohen 15 persona në Lipjan – 11 përfundojnë me lëndime

Një rrahje masive ka ndodhur dje në Lipjan, pas një mosmarrëveshje rreth një prone Në...

Abdixhiku, Muhaxherit dhe Ahmetit: Pres dorëheqjet tuaja, i pranoj menjëherë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj kërkesave...

LDK në Lipjan kërkon dorëheqjen e Abdixhikut

Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, pas mbledhjes së mbajtur së bashku me...