Një banor i lagjes ‘Vneshta’ në kryeqytet ka uzurpuar padrejtësisht parcelën nëpër të cilën kalon rruga. 10 familje të kësaj lagjeje fajësojnë autoritetet komunale për mosndërhyrje për ta zgjidhur këtë problem. Në Komunë e pranojnë se një pjesë e rrugës është uzurpuar.
Në vitin 2013, pushteti komunal i Prishtinës ka filluar të ndërtoj rrugën ‘Demë Ahmeti’ në lagjen ‘Vneshta’, por për shkak të konfliktit që ka hasur me një banor për çështje të pronësisë, punimet janë ndërprerë.
Ndërprerja e punimeve iu ka sjellë jo pak pasoja disa familjeve të cilat vuajnë mungesën e kanalizimit dhe infrastrukturës në përgjithësi.
Banorët tregojnë se kufiri ndarës nuk po respektohet nga pronari që ka tokën në kufi me rrugën e përbashkët, raporton RTV21.
Nga ana tjetër banori që akuzohet nga fqinjët e tij për uzurpim të pronës publike, shprehet pas kamerës se kjo është pronë e tij dhe se ai posedon dokumente. Mirëpo, është Komuna ajo që ka deklaruar se në këtë pjesë të rrugës është bërë uzurpimi i pronës publike.


