Gennaro Gattuso kërkon më shumë nga lojtarët, pavarësisht fitores së thellë 4-0 kundër Spal.
Milani ka vazhduar me formën e mirë në vitin 2018, duke marrë një tjetër fitore në Serie A dhe ka vetëm një barazim. Spal ishte skuadra e radhës që Milani i mori tri pikë, ku shkëlqeu i riu, Patrick Cutrone me dy gola, që tashmë ka nisur të krahasohet me legjendën, Pippo Inzaghi.
“Bëmë paraqitje të mirë. Rezultati 4-0 nuk është i padrejtë, por nuk tregon se sa shumë vuajtëm kur ishim 1-0”, tha trajneri për Sky Sport Italia.
“Gjëja e rëndësishme është që të vazhdojmë të punojmë dhe të këmbëngulim se problemi nuk është zgjidhur (pavarësisht fitores 4-0). Ua kam rikujtuar ekipit se ku ishim dy muaj më parë dhe sa shumë kemi punuar për të arritur këtu, por ende nuk ka mbaruar asgjë”.
“Dua që Ricardo Rodriguez të krijojë më shumë hapësirë për ekipin. Jemi përmirësuar shumë, por ka edhe shumë – duhet të vazhdojmë”.
“Cutrone si Inzaghi? Emri i tij është Patrick Cutrone, e jo SuperPippo Cutrone. Kanë ngjashmëri, por nuk janë të njëjtë. I kam thënë se duhet të punojë shumë, të mësoj se si të kontrollojë topin dhe gjithmonë të presë pak sepse nganjëherë ai e humb atë me shumë lehtësi”, theksoi mes tjerash Gattuso. /Gazeta Express/


