Thellohen kundërshtimet ndaj Gjykatës Speciale

PUBLIKUAR

Themelimi i Gjykatës Speciale për krimet e luftës ka nxitur debate mjaft të ashpra në raportet mes pushtetit dhe opozitës në Kosovë. Partitë opozitare po e cilësojnë themelimin e kësaj gjykate si një nga të këqijat që po i bëhen Kosovës. Përderisa partitë në pushtet themelimin e saj e arsyetojnë me kërkesat dhe trysnitë në rritje nga faktori ndërkombëtar.

Pas deklarimit të qartë të Lëvizjes Vetëvendosje, të hënën edhe subjekti tjetër opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka prezantuar pozicionin kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë për themelimin e kësaj Gjykate “është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë Kosovës”.

“Republika e Kosovës dhe përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës nuk guxojnë ta aprovojnë një projektligj të tillë, i cili parasheh jo vetëm aktakuza për individë, por edhe në përgjithësi për kauzën tonë, për luftën e UÇK-së dhe për shtetin e Kosovës. Në Kosovë ka ndodhë gjenocidi, por këtë e ka bërë Serbia, ndërkaq projektligji, siç është sjellë, në fakt pretendon të kundërtën”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Gjykata Speciale për krimet e luftës, sipas deputetes Donika Kadaj Bujupi vjen si pasojë e dështimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Një kundërshtim të ashpër themelimit të kësaj gjykate ka prezantuar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Deputetja Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, njëherësh edhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Legjislacion ka thënë se me themelimin eventual të kësaj gjykate, Kosova do të humbë tutje nga sovraniteti i saj si shtet.

“Procedurat nëpër të cilat do të kalojë ndërtimi i këtij sistemi të plotë paralel të gjyqësisë në Kosovë nga ana e Gjykatës Speciale paraqesin gurin e fundit të atij pak sovraniteti të pavarësisë që kishte Kosova. Me këtë proces nuk mbetet më asgjë nga shteti i së drejtës në një republikë të pavarur”, ka deklaruar Haxhiu.

Në anën tjetër, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili pak ditë më parë i ka prezantuar Komisionit për Legjislacion draft-ligjin për këtë Gjykatë, kishte deklaruar se hartuesit e saj ishin treguar të kujdesshëm që të mos preket në sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe organet e drejtësisë.

Kuçi kishte pranuar se kjo Gjykatë nuk është vendim i drejtë, por sikurse edhe pjesa tjetër e zyrtarëve të lartë shtetëror të Kosovës ka lënë të nënkuptohet që themelimi i saj po vjen si rezultat i trysnive ndërkombëtare.

“Kemi qenë të kujdesshëm që ta mbrojmë sovranitetin e vendit tonë dhe pa e dëmtuar në asnjë pikë sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe strukturat e tashme institucionale e ligjore”, ka thënë Kuçi.

Draft-ligji për Gjykatën Speciale, me gjithë debatet aktuale, nuk pritet të jetë në rendin e ditës së seancës së radhës së Kuvendit të Kosovës të thirrur për këtë të enjte.

Nisma për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën që më vonë u quajt Gjykata e veçantë apo speciale, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bazë të këtyre supozimeve, prokurori amerikan Clint Williamson, ka zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

E veçanta e funksionimit të kësaj Gjykate do të jetë roli i prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtarë dhe trajtimi i rasteve jashtë Kosovës, për të shmangur presionet dhe ndërhyrjet në punën e gjyqësorit. /REL/
 

SHIKO MË SHUMË

​Më 2025 Serbia mohoi 110 krime lufte, mes tyre edhe Reçakun, Batajnicën e Srebrenicën

Autoritetet në Serbi kanë mohuar, vitin e kaluar, të paktën, në 110 raste, krimet...

Kanos me vrasje katër policë dhe dëmton kompjuterin në stacion, arrestohet i dyshuari në Pejë

Një person është arrestuar në Pejë pasi dyshohet se ka kanosur me vrasje katër...

Hajnat depërtojnë me forcë në një biznes në Prizren, marrin para dhe dëmtojnë pajisjet

Një rast i vjedhjes është raportuar në Prizren, ku persona ende të paidentifikuar kanë...