Veli Bytyqi, në vitin 1998, ka qenë në një vizitë në Drenicë, së bashku me një delegacion të LDK’së, kur ishin ndalur nga pjesetarët e UCK’së. Ne kete delegacion ka qene edhe zv. ministri Gjergj Dedaj. Ky i fundit e kishte akuzuar direkt Presidentin Thaci, si person qe i kishte ndalur.
Përderisa storja nuk është sqaruar asnjëherë, Thaçi dhe Bytyqi do të punojnë në një zyrë 18 vite pas kësaj historie.
Kësisoj i arrestuari nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shtatorin e vitit 1998, Veli Bytyqi i është bashkuar të hënën ekipit të Presidentit të Kosovës. Ish-anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës është emëruar këshilltar politik i Hashim Thaçit.
Bytyqi i është bashkuar ekipit të presidentit Thaçi, pasi kaloi rreth tre muaj në partinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Me thënë të drejtën unë Presidencën e shoh si institucion jopartiak dhe kam kaluar atje si këshilltar. Kjo ka qenë preferenca e presidentit dhe jam emëruar me vendim të presidentit Thaçi si këshilltar i tij politik”, deklaroi dje Bytyqi, për portalin Indeksonline.
Para AAK-së, Veli Bytyqi kishte qenë anëtar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitet 2001 deri më 2004, ai kishte shërbyer si këshilltar politik në Komunën e Prishtinës që udhëhiqej nga LDK.
Bytyqi kishte kundërshtuar vazhdimisht aktivitetin politik të Hashim Thaçit, për të cilin kishte drejtuar edhe kritika të rënda.
Madje, në shtatorin e vitit 1998 Veli Bytyqi, së bashku me kryetarin e Partisë Liberale të Kosovës, Gjergj Dedajn dhe anëtarët e tjerë të LDK-së Isuf Telaku e Agim Krasniqi, ishin arrestuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në Qirez të Skenderajt.
Për këtë veprim të UÇK-së ishte rrëfyer Gjergj Dedaj, i cili deklaronte se “Hashim Thaçi dhe njerëzit e tij” kishin arrestuar grupin e njerëzve në të cilin ishte edhe Veli Bytyqi, tashmë këshilltar i Presidentit të Kosovës.
“Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Na tha: ‘Jeni të arrestuar’”, kishte rrëfyer Dedaj në një intervistë me Rubikon të KTV-së. “Mu doke qesharake, nuk e besojsha”.
Në rrëfimin e tij, Gjergjaj deklaronte se grupi i njerëzve të arrestuar nga UÇK-ja ishin maltretuar fizikisht.
Por 18 vite pas kësaj ngjarje e cila asnjëherë nuk është sqaruar, Bytyqi do të punojë krah Hashim Thaçit, njeriut që ka qenë pjesë e asaj ndalje.
Edhe Dedajt i është dhuruar për më shumë se një dekadë pozita e zv.ministrit, nëpër ministri të ndryshme.
Nga shumëkush afrimi me ata që e kanë akuzuar Hashim Thaçin, shihet si përpjekje e tij për t’i përvetësuar të njëjtit, të cilët mund të jenë edhe dëshmitarë në Gjykatën Speciale.
Vetëm pasi Imer Imeri e kishte akuzuar publikisht Thacin për vrajsen veprimtarit të LDK’së, Haki Imerin, i pari i vendit e kishte shpallur ish-veprimtarin dëshmor të kombit, duke e bindur Imer Imerin se s’kishte gisht në vrasjen e tij. Prej atëherë, Imeri më nuk e fajëson Thacin për vrasjen e të vëllait.


