Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë për media, ka prezantuar Planin e Punës së Qeverisë për vitin 2015, si dhe kabinetin e këshilltarëve politik.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, Qeveri e Republikës së Kosovës, para dy ditësh ka aprovuar Planin e Punës të Qeverisë për vitin 2015.
Ky plan, sipas tij, është bazuar në Programin Qeverisës të cilin e kanë harmonizuar si parti të koalicionit në tërësi.
“Në fondamentin e programit tonë, edhe qeverisës, edhe të Planit Qeverisës për vitin 2015, do të jenë orientimet tona të cilat janë të njohura si orientime demokratike evropiane, do të jetë respektimi i lirisë, respektimi i së drejtës, orientimi për tolerancën, lirinë e të shprehurit, lirinë e lëvizjes, respekti për traditën dhe natyrisht ajo që është themelore, orientimi ynë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Ndër objektivat themelore të cilat janë përcaktuar në programin qeverisës, sipas tij, është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik.
“Kjo nënkupton orientimin tonë që të intensifikojmë normën e rritjes ekonomike vjetore, të rrisim normën e punësimit, të zvogëlojmë varfërinë dhe ta bëjmë diversifikimin e zhvillimit ekonomik në më shumë degë dhe më shumë fusha ekonomike në krahasim me ato që i kemi deri më tani”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se si objektiv i dytë themelor është sundimi i ligjit, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar.
“Mendojmë që të bashkërendisim punën me të gjitha institucionet e drejtësisë, por assesi të ndikojmë në drejtësinë”, ka shtuar ai.
Si pikë të tretë, kryeministri ka përmendur agjendën e politikave të jashtme, që ndërlidhet me prioritetet për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe hapjen e rrugës për integrim sa më shpejt në Bashkimin Evropian.
“Për vitin 2015 parashohim që të përgatisim dhe të aprovojmë në Kuvend rreth 100 ligje. Një pjesë e këtyre ligjeve ka të bëjë edhe me aktivitetet tona në fushën e integrimeve evropiane, dhe po ashtu të përgatisim dhe të aprovojmë edhe 43 dokumente strategjike”, ka thënë ndër tjerash kryeministri Mustafa. /Telegrafi/



