Lipjani është një ndër komunat të cilat u bënë me kryetar në zgjedhjet e së dielës, duke i shpëtuar shkuarjes në balotazh. Me këtë komunë, do të udhëheq edhe katër vite me një mandat të dytë, Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ahmeti, në një prononcim për “Indeksonline”, ka thënë se është i kënaqur nga zgjedhjet lokale, nga të cilat doli fitimtar.
“Procesi zgjedhor ishte i rregullt, nuk ka pasur diçka të jashtëzakonshme, prandaj e vlerësoj shumë pozitivisht. Dalja e votuesve ka qenë e mirë, nuk kam çka i shtoj kësaj çështje. Edhe fushata ka qenë e qetë dhe e rregullt, pa ndonjë gjë të pazakonshme që do ta lëndonte procesin zgjedhor apo fushatën”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka paralajmëruar se gjatë mandatit katërvjeçar do të përmbush atë çka ka premtuar gjatë fushatës, shkruan Indeksonline.
“Kemi projektin me të cilin kemi konkurruar para publikut të cilit i kemi kërkuar besimin. Besoj se do ta implementojmë në tërësi gjatë viteve të ardhshme, pasi që është akoma faza e parë deri në certifikimin e asamblistëve dhe zgjedhjeve në tërësi”, ka shtuar Ahmeti.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 22 tetorit, Imri Ahmeti mori 59,78% të votave, Ismet Hajrullahu (PDK) 21,33%, Selatin Retkoceri (Vetëvendosje) 8,73%, Fitim Selimi (AAK) 6,54% dhe Heset Sahiti (Nisma) 3,63%.
Ndërsa përqindja e votuesve që dolën në zgjedhje ishte 49,19%.


