“Dua të besoj se institucionet e përgjegjshme të Kosovës, do të ndryshojnë për të mirë jetën e qytetarëve të vendit, fëmijët e të cilëve nuk do të bëhen pre e qenve endacakë dhe nuk do të kërkojnë copat e bukës nëpër kontejnerë”, ka thënë presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.
Jahjaga tha se e ka paralajmëruar me kohë gjithë spektrin politik në vend se me zgjatjen e mospajtimeve ndërmjet vete, po e fusin vendin në krizën më të madhe edhe politike edhe financiare.
“Periudha prej gjashtë muajsh ka thelluar krizën e besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit të tyre dhe ka rënduar jetën e tyre”, tha presidentja.
Jahjaga ka kundërshtuar pohimet e opozitës për njëanshmëri gjatë kohës kur është tentuar zgjidhja e krizës politike.
“Kam luajtur rolin tim kushtetues të faktorit të unitetit të popullit. Dhe kam garantuar stabilitet edhe politik edhe në aspektin e sigurisë në vend, në kohën kur liderët politikë kanë treguar pak gatishmëri për të gjetur rrugën e ndërtimit të institucioneve”, tha presidentja.
Jahjaga tha se është fakt se Kosova perceptohet si një shoqëri e korruptuar, që ka nivelin më të lartë të papunësisë në Evropë dhe me një shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik.
Për Gjykatën Speciale tha se do të jetë sfida më e madhe për shoqërinë e Kosovës që ndërlidhet me të kaluarën e dhimbshme.
“.. Krijimi i Gjykatës Speciale reflekton përcaktimin tonë për një proces të pavarur dhe të paanshëm që me kredibilitet i shqyrton këto akuza një herë e përgjithmonë. Kjo gjykatë do të merret me raste individuale dhe assesi nuk do të jetë një denoncim i betejës tonë të përbashkët dhe të shenjtë për liri dhe pavarësi”, u shpreh presidentja.
Ajo ka folur edhe për ekstremizmin fetar. Me këtë rast, Jahjaga tha se Kosova nuk mund dhe as që do të bëhet korridor dhe as vatër e asnjë veprimi qoftë ekstremist apo edhe terrorist.
Presidentja e vendit ka folur edhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se është shumë e drejtë që të kërkohet zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura. /Telegrafi/



