Shtatë muaj burgim me kusht dhe 3600 euro gjobë, ka shqiptuar Gjykata Themelore në Prishtinë, ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Komunën e Lipjanit, Nazmi Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Mirëpo, dënimi me burgim ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse në prridhën prej një viti, Krasniqi nuk kryen vepër tjetër penale.
Kurse, sa i përket dënimit me gjobë, gjyqtari Hamdi Ibrahimi e njoftoj të akuzuarin se nëse ajo nuk paguhet brenda periudhës të përcaktuar me ligj, do të kthehet në dënim me burgim, me ç’rast çdo ditë me burgim do t’i llogaritej me 20 euro të gjobës.
Ndryshe, paraprakisht, ishte bërë edhe marrëveshja për pranimin e fajësisë ndërmjet të akuzuarit dhe prokurores Habibe Salihu.
Para se të jepej dënimi nga gjyqtari, në seancën dëgjimore prokurorja Habibe Salihu, prezantoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe bëri rekomandimin për dënimin për tri veprat e “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, për të cilat është akuzuar Krasniqi.
Salihu kërkoi nga gjykata që këtë marrëveshje ta pranoi dhe të shqiptojë një dënim sipas rekomandimeve të prezantuara me marrëveshjen për pranimin e fajësisë, shkruan betimiperdrejtesi.com
Edhe i akuzuari Krasniqi dhe mbrojtësi i tij Naser Gashi, theksuan se mbesin pranë marrëveshjes për pranimin e fajësisë të negociuar me prokurorinë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Nazmi Krasniqit më 16 mars 2017, duke pretenduar se i njëjti në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Komunën e Lipjanit, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Krasniqit, me pretendimin se i njëjti ka keqpërdorur detyrën zyrtare, në vazhdimësi. Krasniqi, akuzohet se në periudhën kohore 2010-2013, me qëllim të përfitimit për vete apo personin tjetër, ka nënshkruar marrëveshje me NTP “Nexhi” dhe “Taxi”, duke u mundësuar këtyre dy kompanive transportimin e fëmijëve pa kaluar procedurat e prokurimit, shkruan betimiperdrejtesi.com
Ai thuhet se në mënyrë të vazhdueshme ka keqpërdorur autoritetin e tij, ku në periudhën kohore 2010-2013, me qëllim të përfitimit ka lidhur kontrata me pesë arsimtarë të shkollave të ndryshme në Lipjan. Fondi i orëve të cilat kanë qenë të përcaktuara në kontratë nuk ka qenë në përputhje me numrin e orëve, të cilat i kanë mbajtur këta arsimtarë, thuhet në aktakuzë. Prokuroria pretendon se ata kanë mbajtur vetëm gjysmën e orëve, kurse janë paguar me pagë të plotë.
Krasniqi, ngarkohet po ashtu se u ka mundësuar personelit të çerdhes së fëmijëve në Lipjan, që të paguhen më shumë se që është paraparë në kontratë, gjegjësisht duke ua rritur koeficientin e pagës.
Ndryshe, në seancën e 28 korrikut, gjyqtari Ibrahimi kishte refuzuar një marrëveshje të pranimit të fajësisë me arsyetimin se palët nuk janë deklaruar shprehimisht mbi lartësinë e dënimit dhe se duhet të ketë një rinegociim, të cilën më pas edhe e kishin bërë. /betimiperdrejtesi.com/


