
(E plotësuar) – Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se lufta ndaj radikalizimit duhet të jetë luftë e përbashkët pasi asnjë vend nuk është i paprekshëm ndaj këtyre fenomeneve. Ajo tha se në mungesë të bashkëpunimit kanë lulëzuar edhe grupet që trafikojnë qeniet njerëzore.
“Asnjë vend nuk është i paprekshëm nga radikalizmi. Prandaj, lufta jonë do të jetë luftë e përbashkët. Çdo dështim në këtë luftë, do të jetë kthim mbrapa i vendeve tona”, ka deklaruar Jahjaga në konferencën rajonale “Sfidat në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe bashkëpunimi në Evropën juglindore”.
Ja fjalimi i plotë i Presidentes Jahjaga:
I nderuar zv/kryeministër Kuçi,
I nderuar ministër Rexhepi,
I nderuar u.d. Prokuror i Shtetit Hoxha,
E nderuara ambasadore Jacobson,
I nderuari përfaqësues i Zyrës së BE-së, z. Gnocchi,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të Gjyqësorit, të Prokurorisë, të Policisë së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,
Të nderuar përfaqësues të Qendrës Marshall,
Krimi nuk njeh kufij e as madhësi shtetesh. Secili vend i rajonit sot ballafaqohet me probleme serioze të trashëguara qoftë nga tranzicioni qoftë nga mangësitë profesionale e ligjore të cilat po e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin tonë për ta parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe tash së fundi edhe kërcënimin terrorist që po e rrezikon sigurinë kombëtare të vendeve tona. Gatishmëria e vendeve tona për të bashkëpunuar do të përcaktojë hapin me të cilin do t’i transformojmë shtetet tona në demokraci të mirëfillta edhe shpejtësinë me të cilën rajoni do të ecë drejt integrimeve evropiane si vulë që do të kurorëzojë suksesin tonë për të ndërtuar shoqëri të qëndrueshme. Këtë betejë nuk guxojmë ta humbim sepse po e
humbëm ne do të humbim edhe një gjeneratë mundësish për ta jetësuar paqen dhe demokracinë në Evropën juglindore.
Të nderuar të pranishëm,
Jam e nderuar që sot këtu në Prishtinë, ju mirëpresim juve – përfaqësues të mekanizmave të sigurisë të vendeve të rajonit – njerëz që nevojën e vendosjes së sundimit të ligjit e shihni përtej politikave ditore. Ju mirëpresim të gjithë juve që përfaqësoni garancinë e ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe që jeni të përkushtuar që luftën kundër krimit të organizuar ta fitoni me bashkëpunim.
Në veçanti, dua ta përgëzoj prokurorinë e shtetit të Kosovës për organizimin e kësaj konference, dhe konceptimin e saj si një forum të shkëmbimit të përvojave të të gjitha vendeve të rajonit dhe më gjerë, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Po ashtu dëshiroj të falënderoj përfaqësuesit e Qendrës Marshall për përvojën dhe ekspertizën dhe eksperiencën e tyre që në mënyrë të vazhdueshme përkrahin institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë.
Vendet tona dhe qytetarët tanë nuk duhet të mbesin peng i të kaluarës sonë dhe është prioritet i ynë që të sigurohemi që e ardhmja e tyre të mos rrezikohet për shkak të mungesës së bashkëpunimit mes nesh, posaçërisht në fushën e sigurisë.
Asnjë vend nuk është i paprekshëm dhe i pacenueshëm nga trendet e fundit të radikalizmit dhe ekstremizmit prandaj lufta jonë kundër këtyre të këqijave që po cenojnë sigurinë tonë kolektive duhet të jetë luftë e përbashkët. Ne kemi përqafuar vlerat progresive që përkojnë me aspiratat tona euroatlantike dhe çdo dështim në këtë luftë do të jetë kthim prapa për popujt tanë.
Përtej vullnetit politik dhe përkushtimit për të bashkëpunuar, sot na nevojitet një bashkëpunim konkret dhe strategjik ndërmjet strukturave të sigurisë që bëjnë parandalimin dhe luftimin e këtyre rreziqeve të cilat shtrihen përtej kufijve të secilit vend, me qëllim që përgjigja ndaj tyre të jetë e plotë dhe efektive. Përgjigje e përbashkët dhe e pakompromis.
I gjithë rajoni i Evropës Juglindore sot përballet me një numër sfidash në fushën e sigurisë dhe së fundmi çdo shtet po përballet me problemin e migrimit ilegal që i ka bashkuar rrjetet e grupeve kriminale dhe që po e sfidon edhe përgjigjen tonë profesionale ndaj tyre pikërisht për shkak të mungesës së koordinimit tonë në rrafshin e sigurisë.
Ky është vetëm njëri nga problemet e shumta me të cilat sot ballafaqohemi si rajon dhe që e bën bashkëpunimin ndërkombëtar jo çështje dëshire e vullneti por një nevojë dhe domosdoshmëri urgjente e cila kërkon përgjigjen tonë dhe të vendeve tona, por edhe të institucioneve tuaja.
Përgjigja sërish duhet të jetë e përbashkët dhe prandaj na duhet komunikimi ndërmjet nesh, ndërmjet strukturave të sigurisë, me qëllim që të pengojmë rrezikimin e jetës së qytetarëve të vendeve tona dhe të pengojmë këto procese negative. Kosova nuk mund të lihet jashtë këtij bashkëpunimi dhe ajo nuk mund të perceptohet e ndarë nga vendet e tjera në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të tjera. Kosova duhet të përshihet në të gjithë mekanizmat qoftë rajonalë edhe ndërkombëtarë në fushën e sigurisë, sepse vetëm kështu lufta kundër këtyre dukurive bëhet e plotë dhe e fuqishme. Kosova duhet të jetë pjesë e pandashme e këtyre mekanizmave, përfshirë EUROPOL dhe INTERPOL, sepse kjo garanton suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të krimit në Evropën Juglindore dhe goditjen e fortë ndaj korrupsionit jo vetëm brenda shtetit të Kosovës por edhe në vendet e tjera.
Ne jemi zotuar që të jemi partner të bashkësisë ndërkombëtare për luftimin e këtyre dukurive. Bashkëpunimi në nivel të këtillë e vendos Kosovën si partner të barabartë në luftimin e së keqes. Sundimi i ligjit dhe siguria është çështje që shkon përtej politikës, është domosdoshmëri globale, andaj ftoj bashkësinë ndërkombëtare dhe qeverinë e ardhshme që të punojnë intensivisht në këtë drejtim. Kjo konferencë dhe lista e sfidave para nesh e dëshmojnë më së miri këtë domosdoshmëri dhe këtë nevojë emergjente që e kemi para nesh.
Të nderuar të pranishëm,
Gjithëpërfshirja është thelbi i zgjidhjes së çështjeve të hapura në fushën e sigurisë dhe përjashtimi i cilitdo do të pamundësojë luftimin e tërësishëm të dukurive negative në veçanti të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Koordinimi i mekanizmave tonë institucionalë duhet të dëshmojë se ne i kemi kapacitetet për t’u ballafaquar në mënyrë kredibile me fenomenet të cilat cenojnë frymën dhe vlerat mbi të cilat ne kemi ndërtuar sistemet tona ligjore.
Në fund, dëshiroj të ju falënderoj për këtë organizim dhe jam e sigurt se konferenca si kjo dhe shumë konferenca të tilla që duhet të organizohen në nivele të tjera në të gjitha vendet tona të rajonit, do të intensifikojnë bashkëpunimin e mëtutjeshëm në të gjitha mekanizmat e rendit dhe të ligjit dhe të bëjë më efektive punën tuaj përbrenda shteteve dhe institucioneve tona në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Ju dëshiroj fat dhe suksese z. Hoxhaj dhe shpresoj shumë se kjo konferencë do të nxjerrë probleme konkrete për avancimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm dhe konkret siç e thash edhe më herët se çështja e rendit dhe sigurisë së qytetarëve tanë, shkojnë përtej barrierave politike. Sukses dhe punë të mbarë!
Thomas Gnocchi, kërkon bashkëpunim internacional për luftimin e krimit
Kurse, Thomas Gnocchi, U.D. shef i zyrës së BE-së në Kosovë thotë se duhet një bashkëpunim internacional për luftimin e krimit të organizuar dhe një koordinim në të gjitha nivelet e hetimit dhe, sipas tij luftimi i këtij fenomeni është i domosdoshëm.
****
Hajredin Kuçi, Ministër i Drejtësisë, në këtë konferencë e pranon që Kosova po përballet me sfida në luftimin e krimit të organizuar.
Ai tha se dallimet politike dhe brishtësia e sistemeve juridike në shtetet në ndërtim janë shfrytëzuar nga kriminelet dhe janë krijuar “rrjetet kriminale multinacionale”.
“Në emër të qeverisë së Kosovës do të tregojnë se çka është punuar në sistemin e drejtësisë në lidhje me këto sfida”.
Ndër të tjera Kuçi duke folur për rastet e mëdha të korrupsionit, tha që ato i ka pasur EULEX’i, dhe vlerësoi se ky mision ka punuar mirë.
Kuçi po ashtu ka thënë se: “Do të garantojmë lirinë fetare në Kosovë, derisa ajo nuk e prek seksualizmin e shtetit”.
Sylë Hoxha: Prokuroria po heton 130 persona të dyshuar për terrorizim
Ushtruesi i detyrës se Kryeprokurorit të Shtetit ka thënë se janë duke hetuar h130 persona të dyshuar për terrorizim.
Ai foli për sukseset e Prokurorisë dhe tha edhe që pret që kjo konferencë të sjellë rezultate e uroj që të ketë edhe në regjion ndonjë konferencë tjetër si kjo.
Jacobson: Luftoni korrupsionin nga rrënjët, jo nga periferia
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson, ka komentuar shkurt të premten raportin për indeksin e korrupsionit të bërë publik një ditë më parë nga Organizata “Transparency International”, e cila e nxori Kosovën si shtetit më të korruptuar në rajon.
Ambasadorja Jacobson, e cila ka marrë pjesë në dhjetëvjetorin e themelimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka thënë se korrupsioni është shqetësues edhe në Amerikë, edhe kudo tjetër, por se sipas saj secili vend merr masa për ta luftuar këtë fenomen shkatërrues të zhvillimit të shtetit.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuar Tracey Ann Jacobson, ka porositur ata që do udhëheqin qeverinë e re për angazhime shtesë në luftimin e korrupsionit. Ky fenomen sipas Jacobson nuk është i përhapur vetëm në Kosovës, por tha se lufta ndaj këtij fenomeni kërkon angazhim serioz të të gjithë akteve në vend, përfshirë institucionet, shoqërinë civile, dhe mediet.
“ Ka pasur shumë raporte në media këtë javë që Kosova renditet në vendin e 110 prej 177 vendeve dhe ne e mbështesim plotësisht deklaratën që e ka dhënë OEA në mënyrë që edhe Qeveria e re kur të themelohet, ta luftoj korrupsionin prej rrënjës. Jo vetëm nepotizmin dhe vendet e punës që janë përmendur dhe në raportin e Transparency Internacional, por po ashtu edhe sa i përket mjedisit qeveritare. Një prej 5 kosovarëve kanë paguar ryshfet dhe 40 për qind të kosovarëve janë të gatshëm që të paguajnë ryshfet. Dhe se kjo do të thotë se duhet të kemi një qasje të gjerë jo vetëm nga Qeveria dhe bizneset por edhe nga të tjerët dhe mendoj se edhe shoqëria civile edhe media kanë një rol për të ruajtur këtu. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim rolin e OEA edhe në vitin 2015”, tha ambasadorja Jocobson.
Këto deklarata Jaconson i bëri gjatë ceremonisë së shënimit të dhjetë vjetorit të themelimit të Odes Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEA).
Jacobson ka sugjeruar institucionet e Kosovës që për të pasur sukses në luftën kundër këtij fenomeni që shkatërron edhe shoqërinë, duhet që të fillojnë ta luftojnë korrupsionin nga rrënjët, jo nga periferia.
Sipas raportit të “Transparency International”, Kosova ka shënuar një përmirësim të lehtë, ka marrë 33 pikë dhe nga vendi i 111-të që ishte renditur një vit më parë, është ngritur në vendin 110.
Më shumë se dy të tretat e 175 vendeve të vlerësuara, radhiten nën shifrën 50, në indeksin prej 0 pikësh, që përshkruan vendet me korrupsion të lartë, deri në 100 pikë, që vlen për vendet e pastra.
Ambasadorja Jacobson fjalim për 10 vjetorin e Odës Ekonomike Amerikane
Sot ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson do të mbajë një fjalin në Swiss Diamond lidhur me 10 vjetorin e Odës Amerikane të Kosovës.
Në këtë konferencë të organizuar për media do të flitet rreth rolit dhe zhvillimit të Odës Ekonomike Amerikane gjatë këtyre dhjetë viteve dhe për të ardhmen./Botasot/


