Të njohësh veten përmes deklaratës së Ambasadores!

PUBLIKUAR

unnamed4

Adnan Rrustemi

Akrobacionet politike të Isa Mustafes nga një skaj në tjetrin me qetësinë më të madhe dhe shqetësimin më të vogël, parasëgjithash shprehin qartazi qëndrimin injorues dhe mosrespektim për zgjedhësit e tij. Për këtë soj politikanësh, nuk ka aspak rëndësi se çfarë ju kanë thënë votuesve të tyre, fundja ajo ishte vetëm një e thënë, mund të ja thonë edhe të kundërtën e asaj që ja kanë thënë deri më tash. Jo, s’ka rëndësi çka mendojnë votuesit. Ata, gjithnjë i kanë përdorur e keqpërdorur sa herë që kanë pasur nevojë për të shpëtuar veten dhe rritur përfitimet personale.
Justifikimi për këtë nuk buron vetëm nga profili makiavelist i këtyre politikanëve, por edhe nga motivacioni i pashpjegueshëm i votuesve për t’i votuar këta. Këta pyesin me të drejtë. “A mos më kanë votuar për atë që po them, e për atë që kam bërë?!” Gjersa votuesit janë mashtruar në momentin e votimit, ata do të mashtrohen vazhdimisht, mendojnë ata.
E vërtetë që Isa Mustafa më së paku u votua për atë që kishte thënë, e edhe me pak për atë që kishte bërë. Por, ai u votua edhe nga një pjesë e qytetarëve për pamundësimin e Thaçit 3, të cilët votues qartazi nuk e shihnin atë si zgjidhjen e duhur, fare nuk pyeteshin për këtë, por si mundësinë më të lehtë për t’i dhënë fund gërryerjes së shtetit nga qeveria më e korruptuar në Evropë.
Si kurrë më parë, në zgjedhjet e 8 qershorit kishte një argument thelbësor politik të dukshëm (ose jo), që synonte pamundësimin e Thaçit 3. Nëse një kauzë e tillë nuk u shfaq kaq direkt para zgjedhjeve për arsye të ndryshme, por të kuptueshme për natyrën e sistemit zgjedhor dhe dallimeve programore të spektrit politik, ajo doli në skenë ende pa u numëruar kutia e fundit e votimit. Lajmi morri dhenë gjithandej. Populli u hodh në rrugë e sheshe për të kremtuar fundin e regjimit, një fund që nuk ndodhi, jo pse populli ishte mashtruar më 10 qershor, por se “liderthi” i LDK-së, pikërisht kur arriti në shkallën e fundit për ta bërë atë realitet, befasisht u hodh në prehrin e Hashim Thaçit.
Sakaq veprimi i tij nuk ishte as pa shkas e as pa qëllim. Pesë muaj të jetës së Isait në LAN, ishin pesë muaj vetëpërfytyrimi në rolin që s’e kishte pasur kurrë më parë, në rolin e politikanit të ndershëm, të përkushtuar për të sprapsur një qeveri të dëmshme, siç thoshte edhe ai. I gatshëm të heqë dorë nga privilegjet në emër të një çështje që tejkalonte atë dhe partinë e tij. Befas, filloi të ndiente se jo vetëm po e bënte gjënë e duhur, por edhe se vazhdimisht ka qenë i tillë. Sikur i ngriu për ca kohë referencat e së kaluarës së tij të afërt, edhe më shumë ato të së kaluarës së largët të para viteve të 90-a. Vazhdonte të reflektonte entuziazëm për nevojën dhe mundësinë e ndryshimit, nuk shfaqte frikë në rrugën e së vërtetës. Zellshëm e luante të vendosurin dhe këmbëngulësin se me PDK-në as që do të flitej, e lërë më, larg qoftë, koalicioni.
Por, po aq befasisht, seç i shkrepi se ishte “mashtruar” nga vetë ai. Momenti i fillimit të “këndelljes” ishte jospontan dhe me mesazhe aspak të tërthorta e gjuhë diplomatike. Do të duhej një “extra slang” i një ambasadoreje dhe deklarata e saj, se ai shumë më tepër peshon në anën e modelit të keq të Hashim Thaçit, sesa të një lëvizjeje për ndërrimin e kursit të shtetit dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit. Ndoshta siç kishte filluar të mos e njihte veten, u vetëgjetë në krahasimet e saj me PDK-në dhe 70 dosjet e proceduara për korrupsion e krim ekonomik. Kjo nuk ishte thirrje për ta detyruar që të tradhtojë bindjet e tij, por një thirrje për t’u zgjuar nga sfilitja i të qenurit i pastër dhe për t’u kthyer në realitet. Nga ky këndvështrim, Isai edhe mund të mos jetë tradhtar, tradhtia e tij mbetet e pafalshme në kontekst të pritjeve të qytetarëve dhe të vetë votuesve të LDK-së për të pamundësuar Thaçin 3.
Për rrjedhojë, në një natë të errët fillimdimri, që paradoksalisht do të duhej ta stimulonte gjumin e thellë, Isai u zgjua dhe e njohu veten, brofi dhe ja mësyu zyrës së Presidentes, ku me keqardhje për “agoninë” e tij të tejëzgjatur, pranoi, në mos edhe e inicioi, atë që për pesë muaj rresht, jo vetëm e refuzonte kategorikisht, por edhe fliste për një qasje tjetër qeverisëse që bënë të mundur ç’kapjen e shtetit nga strukturat e kriminale. Ai e di më së miri se ç’e shtyri në krahët e Hashimit, por edhe opinioni i gjerë e kishte kuptuar tashmë.
Megjithatë, nuk mund të presësh dhe nuk është e ndershme të kërkosh, që ai të jetojë për katër vite nën përfytyrimin për atë që s’është, sado e dobishme që do të ishte për vendin. Nëse jo tani, atë do ta lëshonte sfilitja për t’u kapur nga PDK. Por, kjo çfarë bëri Isa Mustafa, përkundër dëmeve të mëdha që do të ketë, të paktën ka një anë pozitive; këta pesë muaj sado që ishin devijim i tij, u duken të pëlqyeshme nga votuesit e LDK-së dhe u përçmua edhe nga ata tradhtia ndaj LAN-it. Kjo do duhej të shërbente që Isai dhe bashkëpunëtorët e tij të ngelin të vetmuar në klubin e krimit në të cilin tanimë janë akomoduar./Autori është anëtar i VV! dhe përfaqësues i këtij subjekti pranë KQZ.

SHIKO MË SHUMË

Buja me rastin e betimit të asambleistëve: Urojmë që angazhimi juaj të jetë i mbarë dhe i suksesshëm

Shukri Buja ka ururar 10 asambleistët e zgjedhur për kuvendin e komunës së Lipjanit,...

Imri Ahmeti betohet si Kryetar i Komunës së Lipjanit

Imri Ahmeti është betuar si Kryetar i Komunës së Lipjanit. postimi plotë nga Ahmeti:   Të dashur...

Zjarr në fshatin Kojsk të Lipjanit, lëndohen dy persona

Një zjarr ka shpërthyer gjatë ditës së diel në fshatin Kojsk të Lipjanit, ku...