
Por, në rast se PDK nuk lëshon pe dhe vazhdon të insistojë që Hashim Thaçi të mbetet kryeministër, atëherë ai do të drejtojë Qeverinë edhe për dy vjetët e ardhshme, derisa presidentes aktuale, Atifete Jahjaga, t’i kalojë mandati. Pastaj, më 2016 Thaçi kandidon për postin e presidentit, e në karrigen e kryeministrit vendoset Isa Mustafa apo Lutfi Haziri.
Rrokum ka siguruar edhe disa nga emrat e mundshëm për ministra, të cilët janë diskutuar në takimin e fundit të grupit punues.
Disa prej ministrave të ardhshëm të qeverisjes PDK-LDK janë: Bardhyl Meta (ministër i Zhvillimit Ekonomik), Sadri Ferati (ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale), Valon Murtezaj (ministër i Punëve të Jashtme), Skender Hyseni (ministër për Integrime Evropiane).
Grupi punues ka mbetur të vendos ndërmjet dy emrave për ministër të Shëndetësisë – Bekim Haxhiun apo Bajram Rexhepin.
Blerand Stavileci do të mbetet ministër i Bujqësisë ose i Administratës Publike. Memli Krasniqi, aktualisht ministër i Kulturës, ka mundësi të mbetet aty ku është, megjithëse kjo Ministri mund të jetë një nga katër ministritë që mund t’ju takojë minoriteteve.
Agim Çeku do vazhdojë të mbetet ministër i Forcës së Sigurisë. Ndërsa, Ministria e Arsimit po synohet t’i besohet Ferid Aganit – kryetar i Partisë së Drejtësisë.
Grupet punuese do të mblidhen të hënën. Rrokum po ashtu mëson se seanca për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit nuk do të mbahet mbajt deri në fund të javës që vjen, përkatësisht deri në ndarjen e tanë resorëve ministrorë. /Rrokum/


