Rusia rrezikon të përfshihet sërish në skandalin për doping, pasi tashmë po akuzohen edhe futbollistët e Kombëtares
Sipas Daily mail, të gjithë 23 lojtarët e Kombëtares së Rusisë që morën pjesë në Botërorin 2014 janë vënë nën hetim nga FIFA për doping.
Atyre u shtohen edhe 11 lojtarë të tjerë profesionistë dhe në këtë mënyrë, lista shkon në 34 lojtarë të hetuar.
Problemi bëhet serioz pasi 4 nga lojtarët e Rusisë së Botërorit 2014 janë aktualisht pjesë e skuadrës, madje u aktivizuan në Kupën e Konfederatave. Bëhet fjalë për Kanunnikov, Glushakov, Akinfeev e Samedov.
Në Brazil 2014, Rusia bëri një paraqitje të dobët duke mos arritur ta kalonte fazën e grupit me vetëm dy pikë të grumbulluara në 3 ndeshje të luajtura dhe në drejtimin e saj ishte trajneri italian, Fabio Capello.
Sipas Daily Mail, lojtarët e implikuar ishin pjesë e atij që quhej “sistem mbrojtës” i zbuluar nga Agjencia Ndërkombëtare Antidoping në vitin 2016.
Në hetimin e WADA-s janë përfshirë rreth 1000 sportistë nga disiplina të ndryshme, por vetëm gjatë orëve të fundit në këtë skandal është përfshirë edhe futbolli rus. /xpress/


