Rexhep Hoti i PDK’së ka vlerësuar se koalicioni PDK-AAK-NISMA është fitore e vlerave perëndimore karshi atyre të lindjes.
Por, ai këtë deklaratë nuk e ka elaburuar se në çka aludon, raporton Gazeta Express.
“Është koalicioni për të ardhmen, koalicioni i fitores së perëndimit mbi lindjen”, ka përshkruar Hoti, marrëveshjen e PDK’së me AAK-NISMA’n, të arritur një natë më parë, pak minuta para mbyllës së afatit të KQZ’së per regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore për garën e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit.
Ai tutje ka lartësuar veprimin e kreu të PDK’së, Kadri Veseli, për të hequr dorë nga posti i kryeministrit, që t’i hapë rrugë kandidimit të Ramush Haradinajt për shef të ekzekutivit.
“Veprimi i Kadri Veselit është veprim që nuk është parë më parë as në rajon, që një njëri i ofron postin e kryeministrit për një tjetër kandidat”, tha Hoti në një intervistë për Klan Kosova, përcjell Gazeta Express.
Ndryshe, mbrëmë, pak para mesnatës të së mërkurës, PDK dhe AAK-NISMA kanë arritur një marrëveshje parazgjedhore për të garuar së bashku në zgjedhjet e jashtëzakonshme të muajit të ardhshëm. Deri te marrëveshja erdhi pasi LDK’ja me Avdullah Hotin kandidat për kryeministër kishte nenshkuar të martën mbrëma koalicion me AKR’në e Behgjet Pacollit. Në listën zgjedhore të tyre do të jetë edhe ‘Alternativa’ e Mimoza Kusarit dhe Ilir Dedës.
Deri me tash, në zgjedhjet e 11 qershorit, e vetme garon Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse të mërkurën është raportuar se partia e Visar Ymerit mund të shkrihet në listën e LDK-AKR’së, si kundërpërgjigje ndaj koalicionit PDK-AAK-NISMA. /GazetaExpress/.


