Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, do të shkojë sot në interpelancë në Kuvendin e Kosovës. Ai pritet t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve rreth shumë temave aktuale që preokupojnë vendin.
Megjithatë, në rend të ditës nuk është futur ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, gjë e cila është pritur dhe paralajmëruar edhe nga Qeveria, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndërkohë dje në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë shfaqur shumë interesim për nismën e Qeverisë që gjatë kësaj jave të përmbyllet me votim ratifikimi i Marrëveshjes për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi.
Disponim për votimin e kësaj Marrëveshjeje duket se nuk kanë as deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se nuk është i njoftuar me kushtet e LDK-së, kurse procedimi i Demarkacionit në Kuvend mbetet çështje e Qeverisë.
“Është kompetencë e Qeverisë dhe Qeveria mund ta dorëzojë në rrugë të rregullt apo mund të bëjë kërkesë për dorëzimin e kërkesës për Demarkacion sipas procedurave të përshpejtuara. Por në secilin variant votimi i Marrëveshjes së Demarkacionit konsiderohet çështje e re dhe duhet t’i ndjekë procedurat e shqyrtimit dhe votimit të kërkesës nëpër komisione dhe në Kryesi të Kuvendit”, ka deklaruar Haliti.
I pyetur nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme Haliti ka thënë se nuk e di, por kjo sipas tij nuk varet as nga opozita.
“Nuk e di nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme. Nuk e di. Unë nuk i shpall zgjedhjet e parakohshme. Ato i shpall presidenti. Sidoqoftë opozita pret gjithmonë deri të vinë zgjedhjet. Institucionet nuk funksionojnë në baza të opinioneve dhe kërkesave të opozitës”, ka thënë Haliti.
Ndërkohë deputetja e “Nismës për Kosovën”, Valdete Bajrami, ka thënë se do të insistojnë që gjatë kësaj të ketë një seancë të jashtëzakonshme rreth realizimit të mocionit të mosbesimit…


