Oda e Avokatëve të Kosovës përmes një konference për media ka thënë se Qeveria me vendimin për pezullimin e Rregullores për Caktimin e Avokatëve sipas Detyrës Zyrtare dhe Ofrimin e Ndihmës Juridike Falas po ndërhynë drejpërdrejtë në punën e Gjyqësorit.
Ministria e Drejtësisë ka reaguar duke thënë se “vendimi është i përkohshëm dhe si i tillë nuk paragjykon përfundimin e procesit në lidhje me këtë çështje”.
“Vendimi i cekur më lartë është i bazuar në nenin 44 paragrafi 1 i Ligjit nr. 04/L-193 për avokatinë, i cili përcakton: ”Qeveria e Kosovës mbikëqyr ligjshmërinë e akteve të përgjithshme të Odës së Avokatëve dhe ka të drejtë që gjer në vendimin e gjykatës kompetente, të ndaloj ekzekutimin e aktit i cili është në kundërshtim me ligjin. Kjo mbikëqyrje kufizohet në përfilljen e ligjit dhe të së drejtës, duke mos e cenuar autonominë administrative të Odës së Avokatëve”.
Rregullorja e pezulluar nga Qeveria është miratuar me datë 30.06.2016 nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe është rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Odës se Avokatëve të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurial të Kosovës dhe Policisë së Kosovës ,për themelimin e mekanizmit koordinues për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike në çështjen penale të lidhur me datë,26 Prill 2016”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë, transmeton Klan Kosova.
Sipas tyre, kjo Rregullore është kontestuar nga një grup i avokatëve, të cilët vlerësimin e ligjshmërisë së kësaj rregullore e kanë dërguar në gjykatën kompetente, të cilët po ashtu kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të inicioj procedurën për pezullimin e zbatimit të kësaj rregullore deri në vendosjen nga ana e gjykatës lidhur me këtë rast.
Po ashtu, në dispozitat e Ligjit për Avokatinë nuk parasheh nxjerrjen e një akti të tillë nga ana e Odës së Avokatëve të Kosovës, për më tepër se kaq, kjo rregullore është derivat i një marrëveshje bashkëpunimi, ku në dispozitat e saj parasheh kufizime të caktuara për avokatë, e të cilat kufizime janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për avokatinë, dhe veçmas në kundërshtim me nenin 54 paragrafi1 të Kodit të Procedurës penale, i cili përcakton:
“Për mbrojtës mund të angazhohet vetëm avokati i cili është anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës, për të cilin mund ta zëvendësojë praktikanti i avokatisë. Kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me së paku pesë vjet burgim, praktikanti i avokatisë mund ta zëvendësojë avokatin vetëm nëse e ka kaluar provimin e judikaturës. Pranë Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme të Kosovës, të pandehurit mund ta përfaqësojnë vetëm avokati i cili është anëtar i Odës së Avokatëve së Kosovës, ka sqaruar Ministria e Drejtësisë.
Në komunikatë thuhet se Ministria e Drejtësisë është konsultuar me përfaqësues të Odës së Avokatëve me qëllim të gjetjes së një zgjidhje për këtë çështjeje.


