Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u ka bërë thirrje institucioneve që ta votojnë Demarkacionin me Malin e Zi në ditët në vijim, në të kundërtën siç tha ai, qytetarët do të mbesin të izoluar.
E nëse nuk ndodh ratifikimi i Demarkacionit, Thaçi thotë se qytetarët kanë të drejtë të ndihen të zhgënjyer nga institucionet e shtetit.
Presidenti nuk e bën fajtore vetëm BE’në për vizat por në shkallë të konsiderueshme thotë se përgjegjëse janë edhe institucionet e Kosovës.
Postimi i Thaçit:
Kosova, si shteti më proevropian në Ballkanin Perëndimor, vazhdon të mbetet shteti më i izoluar në Evropë.
Përderisa shtetet fqinjë, shumë vite më parë kanë thyer izolimin dhe qytetarët e tyre lëvizin pa viza në zonën Schengen, kanë mbetur vetëm kosovarët që të dëshpëruar ende presin t’i japin fund izolimit.
Përgjegjësia për këtë realitet të hidhur nuk është vetëm tek institucionet e BE-së, por në shkallë të konsiderueshme edhe tek institucionet e Kosovës.
Ne nuk guxojmë të lejojmë që kjo situatë turpëruese të vazhdojë në pafundësi.
Prandaj, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ftoj institucionet tona përgjegjëse që pa humbur kohë të ndërmarrin veprimet dhe vendimet e domosdoshme për të përmbushur kriterin e fundit të mbetur për liberalizimin e vizave.
Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të koordinohen dhe me prioritet ta përmbushin këtë kriter për liberalizimin e vizave në ditët në vijim, në të kundërtën qytetarët kanë plotësisht të drejtë të jenë të zhgënjyer dhe dëshpëruar. HTH


