Partia Demokratike e Kosovës, bën thirrje për procedim sa më të shpejtë të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.
Sekretari i partisë më të madhe në vend, Basri Musmurati ka thënë se qëndrimi i PDK-së, është qe kjo marrëveshje të kalojë për shqyrtim në Kuvend.
Në një prononcim për ‘Indeksonline’, Musmurati e ndërlidh vizitën e senatorit John McCain më çështjen e demarkacionit.
“PDK është ithtarë qe demarkacioni të kalojë sa me parë në Kuvend. Krejt bota u çu në këmbe për këtë punë. Edhe vizita e McCain lidhet me demarkacionin”, ka thënë Musmurati.
Zyrtari i lartë i PDK-së, thotë se vazhdimi ose jo i koalicionit nuk ndërlidhet me kalimin ose jo të demarkacionit. Funksionimi i institucioneve të vendit, sipas tij, lidhet me shumë me vazhdimin e koalicionit.
Ai thotë se në PDK nuk është se ka deputetë qe po deklarohen kundër demarkacionit, duke shtuar se tek LDK po dalin hapur deputetët kundër versionit të nënshkruar në Vjenë më 26 gusht të vitit 2015.
Sa i përket mocionit të opozitës, Musmurati ka thënë se është normale qe opozita të ngrisë mocione.
“Unë nuk mund ta paragjykoj se a do të ketë sukses ose jo”, ka shtuar Musmurati.
Vet kryeministri Mustafa ka paralajmëruar së brenda këtij muaji do ta procedoj për Kuvend marrëveshjen e arritur më 26 gusht të vitit 2015. Në anën tjetër, partitë opozitare vazhdojnë të kundërshtojnë fuqishëm këtë marrëveshje./Indeksonline/L.B


