Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri thotë se deputetët e LDK-së, nuk janë ata qe po i bojkotojnë seancat e Kuvendit të Kosovës.
Madje, ai thotë se të zgjedhurit e popullit nga radhët e LDK-së, nuk kanë asnjë arsye për të bojkotuar punën e legjislativit.
“Deputet e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk e bojkotojnë seancën asnjëherë. Sot ka qenë pauza dhe pas pauzës shumica e deputetëve vetëm se patën ardhur nëpër zyre dhe prisnin momentin që t’i bihet ziles dhe të shkohet, por thënë qartë të gjithë deputetët janë vonuar sot disa minuta, por nuk mendoj se është dashur të ndërpritet seanca. Sa i përket deputetëve tanë pjesëmarrja ka qenë mjaft e mirë”, ka thënë Beqiri për Indeksonline.
Beqiri është shprehur i bindur se deputet e LDK-së nuk kanë të bëjnë fare me bojkotim të seancave të Kuvendit.
“Në asnjë rrethanë deputetët e LDK-së nuk bojkotojnë seanca, por dorën në zemër nuk e di çfarë ndodhi sot me udhëheqjen. Ka raste kur presim nga gjysmë ore, por me deputetët e LDK-së, kemi qenë bashkë në pauzë dhe kur u kthyem në sallë e kumtua se ishim 38 deputetë dhe më pas kryesuesja zonja Dërguti ka thënë të ndërpritet seanca për mungesë të kuorumi. Ne jemi në koalicion qeverisës, udhëheqim Qeverinë e Kosovës dhe nuk kemi asnjë arsye për bojkotim”, ka thënë Beqiri./


