Politologu, Belul Beqaj duke e komentuar iniciativën e Nismës për Kosovën për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, ka thënë se veprimet e subjekteve politike po krijojnë një klimë elektorale.
“Veprimet e fundit të subjekteve politike që po e kontaktojnë elektoratin e harruar disa vjet janë dëshmi e krijimit të atmosferës zgjedhore. “Nisma” është vetëm prijëse formale e rrethanave që po i krijojnë, pak a shumë, të gjitha subjektet politike por edhe opinionet publike. Për çdo dukuri dhe proces suksesi i qëllimit varret nga momenti i nismës së një veprimi. “Nisma”, është vetëm bartëse formale e këtij momenti ndërsa rrethanat janë krijuar shumë më herët për të shprehur mosbesimin ndaj Qeverisë e cila e ka humbur plotësisht legjitimitetin”, ka thënë Beqaj për lajmi.net.
Më tej, profesori universitar ka thënë se gjasat për të shkuar në zgjedhje të janë reale pasi sipas tij janë rritur pakënaqësitë brenda koalicionit, por Beqaj thotë se mbetet të shihet nëse ky mocion i opozitës do të jetë shkas për zgjedhje.
“Pakënaqësia është rritur, jo vetëm jashtë por edhe brenda koalicionit. Prandaj, gjasat për të shkuar në zgjedhje janë reale. Çështje tjetër është se a mund të jetë mocioni shkas i zgjedhjeve. Realisht, kjo Qeveria pa legjitimitet nuk mund të vazhdoj punën por edhe shkuarja në zgjedhje pa ndryshime kualitative zgjedhore ,nuk do të mund t’i ndihmojë qytetarëve dhe Kosovës për t’i tejkaluar çështjet për të cilat po shkohet në zgjedhje të parakohshme. Këta lider po mendojnë për pushtet,ndërsa liderët serioz mendojnë për të ardhmen e shoqërisë dhe shtetit”, ka shtuar Beqaj.
Në fund, Beqaj ka përsëritur vlerësimin se kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin, por ka dyshuar në rezultate e zgjedhjeve, nëse nuk ka paraprakisht reformë zgjedhore.
“Atmosfera kundër demarkacionit ,asociacionit… është rritur aq shumë sa që duhet të mendojmë racionalisht se çfarë pasoja mund të shkaktojë eventualisht kalimi i demarkacionit. Nëse ratifikimi i demarkacionit shkakton konflikt të brendshëm, liberalizimi i vizave e humb kuptimin e vet. Kjo qeverie ka humbur legjitimitetin, por edhe shkuarja në zgjedhje pa reforma, nuk di se çfarë rezultati do të na sjell”, ka përfunduar Beqaj.


