I mbijetuari i masakrës së Suharekës, Gramoz Berisha, ka shpërthyer në fjalimin e tij gjatë ceremonisë ku është shënuar përvjetori i 18-të i kësaj masakre.
Djali që si nëntëvjeçar kishte kërcyer me nënën Vjollcën nga kamioni që bashkë me trupat e familjarëve të tjerë po i dërgonte në varrezë masive, i ka bërë ftesë kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuçiq që të vijën ë Suharekë.
“Prej këtu marrë guximin t’i drejtohem kryeministrit të Serbisë: Dera e shtëpisë sime është e hapur. Të pres të vish e të më përgjigjesh në këto pyetje. Çfarë ndodhi? Kush e bëri? Ku janë trupat? E di që mund të përgjigjesh sepse jë kryeministër që e menaxhon ushtrinë dhe policinë që e bëri gjithë krimin. Nëse vjen, nuk do të kërkoj të kërkosh falje. Nuk më duhet mëshira e askujt. Më duhen përgjigjet që do të më mundësonin që normalisht të jetoja me dhimbjen time”, ka thënë Berisha, transmeton Telegrafi.
Djali që 18 vite pas masakrës ku mbijetoi është duke magjistruar në Universitetin e Prishtinës ka thënë se të gjithëve u duhet e vërteta.
“Na duhet e vërteta. E vërteta që të normalizon ty dhe Serbinë, dhe më lehtëson mua. Kur e mendoj që po bëhen dy dekada dhe ende askush ne Serbi nuk flet për atë që ndodhi dua te besoj se po ju vije turp. Nuk po flisni nga turpi. Nuk dua të besoj se ende një shoqëri e tërë, një komb i tërë mendon si Millosheviqi. Nuk dua të besoj për hatër të fëmijëve tanë, por më shumë për hatër të fëmijëve tuaj. Ata nuk meritojnë prindër që i rrisin me urrejtje. Unë nuk u rrita me urrejtje. Babi im nuk më mësoi të urrej. Ndonëse u vra nga njerëzit tuaj pikërisht për shkak të urrejtjes”, ka thënë Gramozi në mesazhin drejtuar Vuçiqit.
Gramoz Berisha është mashkulli i vetëm i mbijetuar i masakrës së Suharekës. 49 anëtarë të kësaj familjeje u vranë më 26 mars në picerinë “Kalabria”, në Suharekë.
Pos Gramozit, e mbijetuar ësh0të edhe nëna e tij Vjollca si dhe kushërira Shyhrete Berisha.


