Luis Enrique nuk heq dorë nga titulli i Spanjës
Pas një nate magjike ditë më parë në Ligën e Kampionëve, ku Barcelona përmbysi rezultatin e ndeshjes së parë prej 4:0 ndaj PSG-së për të fituar 6:1 në ndeshjen e kthimit – e që shkroi histori, katalanasit kanë pësuar humbje 2:1 në xhiron e 27’të në La Liga, shkruan Gazeta Express.
Ishte Deportivo skuadra që ndali hovin e katalanasve, duke i mposhtur 2:1 në një stadiumin “Municipal de Riazor”, aty ku për herë të fundit kishin triumfuar ndaj Barçës 2:0 në vitin 2008.
Pas këtij dështimi, ka folur edhe trajneri i Barcelonës, Luis Enrique.
“Duke parë ndeshjen që nga fillimi, filluam të mendonim se mund të na kushtojë. Kjo ndodhi dhe në fund humbëm. E nisëm mirë, por nuk kishim atë rrjedhshmëri të mirë të lojës”, tha fillimisht Enrique.
“Çdo pikë të kushton. Nuk do të ketë nga tani e tutje ndeshje të lehta, pra për asnjë skuadër nuk do të ketë ndeshje të lehta. Do të ketë përballje direkte dhe ju duhet të luani sa më mirë në pjesën e fundit të sezonit për të arritur te titulli”, shtoi ai. /Express/


