Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vazhduar përpjekjet e tij për t’i bindur deputetët se Kosova të heqin dorë nga kundërshtimet ndaj marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në prag të votimit të saj në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka porositur se “nuk ka asnjë kuptim që të vazhdohet me kundërshtime të pabazuara”.
“Opozita dhe ekspertët, që e quajnë veten të pavarur, duhet të tregojnë se e kujt është toka e hubmur sipas tyre prej 8,200 hektarëve, nëse Komunat Pejë, Deçan, Junik dhe Istog thonë se tokën me të cilën ata kanë menaxhuar përpara e kanë në librat e tyre në tërësi”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.
“Duhet të gjejmë forcë për ta ratifikuar kufirin, sepse kufi tjetër nuk ka. Mund ti dëmtojmë qytetarët tanë, ti mbajmë të izoluar, por sipërfaqe më të madhe se 10.908 km katror Kosova nuk ka pasur asnjëherë”, ka porositur Kryeministri.
Ky është shkrimi i plotë i Mustafës në Facebook:
Komisioni i Ekspertëve konstatoi se Kosova ka 10.905,25 km katror. Konstatoi, po ashtu, se Kosova nuk ka humbur asnjë metër tokë në shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Komisioni i Ekspertëve, sqaroi edhe pronat të cilat më parë i kishte menaxhuar Agjencioni i Pyjeve i Kosovës, e të cilat gjenden në Mal të Zi, si dhe pronat që ka menaxhuar Agjensioni pyjor i Rozhajës (Malit të Zi) të cilat i përkasin territorit të Kosovës.
Peja, Deçani, Juniku dhe Istogu, të cilat kufizohen me Malin e Zi nuk kanë asnjë ndryshim të territorit. Kosova nuk ka territor i cili nuk i takon një komune. Edhe me Kushtetutën e vitit 1974 rregullohej se territorin e Kosovës e përbëjnë territoret e komunave. Prandaj opozita dhe ekspertët, që e quajnë veten të pavarur, duhet të tregojnë se e kujt është toka e hubmur sipas tyre prej 8,200 hektarëve, nëse Komunat Pejë, Deçan, Junik dhe Istog thonë se tokën me të cilën ata kanë menaxhuar përpara e kanë në librat e tyre në tërësi.
Nuk ka asnjë kuptim që të vazhdohet me kundërshtime të pabazuara, por duhet të gjejmë forcë për ta ratifikuar kufirin, sepse kufi tjetër nuk ka. Mund ti dëmtojmë qytetarët tanë, ti mbajmë të izoluar, por sipërfaqe më të madhe se 10.908 km katror Kosova nuk ka pasur asnjëherë. U konstatua se për 2,75 km katror është korrigjuar territori me demarkacionin e kufirit me Maqedoninë dhe se tani Kosova ka 10,905,25 km katrorë. IM


