Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka folur se çka u bisedua në takim me përfaqësuesen e BE-së per politikë të Jashtme, Mogherinin.
Ymeri në një status në Facebook tha se kanë biseduar për zhvillimet aktuale politike.
Shënimi i plotë:
Në takimin e sotëm me znj. Mogherini, biseduam për zhvillimet politike në Kosovë e rajon.
Është edhe e padrejtë e edhe gabim që në raport me shqiptarët e veçanërisht me Kosovën të aplikohen kritere e kërkesa të cilat e kushtëzojnë pabarazinë mes popujve dhe nuk bazohen në parimin e reciprocitetit të marrëdhënieve e respektimin e ndërsjellë të sovranitetit mes vendeve.
Nuk ka as dobi e as drejtësi nga një dialog me Serbinë që nuk bazohet as në parime të marrëdhënieve mes dy shteteve e as në parimin universal për lirinë e popujve.
Kosova duhet t’i ketë kufijtë e vet të shenjuar. Por kjo duhet bërë sipas së drejtës publike ndërkombëtare dhe sipas parimit të paprekshmërisë së integritetit territorial të Republikës. Marrëveshja me Malin e Zi i cenon të dyja. Nuk bën të humbim territor. Duhet të insistojmë për trajtim të barabartë e dinjitoz.
Imponimi sjellë krizë, shqetësim dhe indinjatë. Populli i Kosovës kërkon paqe, zhvillim e punë. Jo nënshtrim. Jo cenim territori. Jo mohim sovraniteti. Jo përdhosje dinjiteti. Këto ia sqarova edhe znj. Mogherini.


