Prokuroria Themelore në Pejë ka mbyllur hetimet ndaj komunës së Pejës rreth vendimit të Komunës për vazhdim të kontratës për furnizim me derivate, pa shpallur tender, pasi që, sipas tyre, vendimi për vazhdim të kontratës është marrë nga Bordi i drejtoreve të Komunës. Por, në KRPP thonë se Bordi i drejtorëve nuk ka kurrfarë kompetence për vazhdim të kontratave, shkruan sot, gazeta Zeri.
Komuna e Pejës, e cila drejtohet nga Gazmend Muhaxheri, dyshohet se ka vënë në lajthitje institucionet e drejtësisë në vend. Për ta mbrojtur një veprim të jashtëligjshëm, Komuna, e cila udhëhiqet nga Muhaxheri, institucioneve të drejtësisë u ka ofruar po ashtu një vendim të jashtëligjshëm.
Prokuroria Themelore në Pejë, në shtator të vitit që lamë pas, kishte nisur hetime ndaj Komunës së Pejës, pasi që zyra e Prokurimit e kësaj komune kishte vazhduar kontratën për furnizim me derivate prej më shumë se një viti, pa shpallur tender fare.
Në Prokurorinë Themelore në Pejë pranojnë se hetimet për rastin në fjalë janë mbyllur kohë më parë, pasi që, sipas tyre, në rastin konkret nuk ka pasur elemente të dyshimit të arsyeshme për ndonjë vepër penale të kryer nga ndonjë zyrtar i kësaj komune, pasi që, siç thonë ata, Komuna u ka ofruar një vendim se Bordi i Drejtoreve të kësaj komune ka marrë vendim, duke aprovuar kërkesën për vazhdim të kontratës pa shpallur tender fare.
Por, në anën tjetër zyrtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) thonë se në këtë rast vendimet e Bordit janë të jashtëligjshme. Sipas tyre, Bordi i drejtorëve nuk ka kurrfarë kompetence, sipas Ligjit të Prokurimit Publik (LPP-së) për vazhdim të kontratave.
Gazeta “Zëri”, duke u bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare, ka kërkuar nga komuna një kopje të vendimit të Bordit të drejtoreve dhe disa informacione shtesë rreth çështjes në fjalë, por nuk ka arritur të marrë përgjigje, ndonëse shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës kishte premtuar përmes telefonit se përgjigjet do të na i dërgojë brenda ditës…


