Në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë u emëruan gjykatës që kanë punuar në Kosovë. Sipas njohësve të rrethanave politike dhe juridike, gjyqtarët e sapoemëruar njohin realitetin e Kosovës duke qenë edhe dëshmitarë të akuzave që janë bërë për vrasjet politike.
Analisti politik Blerim Burjani ka thënë për “Bota sot” , se paneli që ka bërë përzgjedhjet e gjyqtarëve është e nisur nga gjyqtarë apo prokurorë, të cilët janë njohës të mirë të rrethanave në Kosovë.
“Paneli duket, se iu ka dhënë përparësi atyre që kanë me shumë informata dhe zhvillime në Kosovë, në kuadër të rendit dhe ligjit. Duket se gjithashtu s’ka patur edhe shumë interesim te gjyqtarëve ndërkombëtarë, të cilët nuk kanë pas pervojë me Kosovën”, ka thënë analisti politik Burjani.
Gjykata Speciale, dhuratë e krimit të organizuar
Ndërsa, analisti politik Skender Zogaj, ka vlerësuar se Gjykata Speciale është dhuratë e strukturave speciale të krimit dhe korrupsionit të organizuar, të cilat veprojnë që nga koha e luftës dhe që, pas luftës e kanë shkallmuar forcën shtet formuese dhe manifestin e zhvillimit institucional të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, forca e krimit të organizuar në mënyrë të veçantë e ka ngulfatur drejtësinë, e cila në Kosovë nuk ka funksionuar, prandaj, shpresa e vetme për dalje nga kjo krizë, është Gjykata Speciale. “Kuluaret e afërta me nëntokën e krimit, janë shumë të shqetësuara, sepse, paralajmërimet e Gjykatës Speciale janë, se do ta gjykojë drejt dhe do ta ndëshkojë rëndë krimin dhe kriminelët. E, nëse është kështu, atëherë mendoj, se duhet ta çmojmë dhe përkrahim autonominë së plotë e Gjykatës Speciale, madje edhe sa i përket përzgjedhjes së gjyqtarëve, që ajo i konsideron të denjë për punën e saj. Unë nuk shoh asgjë të keqe, nëse përzgjidhen gjyqtarët që kanë punuar në Kosovë, sepse ata e njohin realitetin e Kosovës, dhe kjo është një mundësi më shumë për trajtimin objektiv të krimeve”, ka thënë Zogaj. Kurse sa i përket akuzave të hedhura publikisht nëpër media, për vrasjet e pasluftës, sipas Zogajt, kalimi i tyre më shumë se sa nga gjyqtarët, varet nga dëshmitarët, të cilët nëse nuk tregojnë gatishmëri për të thënë të vërtetën e atëherë s’ka çfarë të bëjë as Gjykata Speciale, sepse, vendimet duhet të jenë të faktuara, e jo të supozuara. “Dëshmitë e sakta, janë detyrë atdhetare, e jo siç po përpiqen të thonë të implikuarit në krime”, ka thënë Zogaj.
Pritet drejtësi nga Gjykata Speciale
Ndryshe Haki Abazi analist politik, dhe drejtues i fondacionit “Rockefeller Brothers”, për Ballkanin Perendimor ka thënë, se çështja më delikate në procesin e Gjykatës Speciale është, nëse drejtësia vërtetë do të adresojë çështje përmbajtësore, që do të mund të konsiderohet si vënie e drejtësisë në vend të shkaktuar nga individë të caktuar. Sipas tij, pyetja kryesore do të jetë nëse gjyqtarët do të jenë të anshëm dhe do të tentojnë që të baltosin luftën nëpërmjet këtyre individëve kushdo që janë ata apo do të mbajnë drejtësinë duke kosideruar përgjegjesinë e individëve si veprime individuale. “Nëse gjyqtarët që janë zgjedhur nuk janë të ndikuar e të korruptuar, atëherë mendoj, që gjyqtarët do të jenë profesionalë. Përvoja nga e kaluara na ka treguar se vështirë vendoset drejtësia nga gjyqtarë, që kanë qëndrime dhe përgjëgjësi ndaj politikës. Shpresoj të jetë ndryshe nga EULEX-i dhe UNMIK-u. Problemi që kemi me Gjykatën Speciale, është se është Gjykatë që shënon një precedent të rrezikshëm, duke u formuar për të gjykuar njerëz të një grupi etnik, vetëm dhe që ka një periudhë që nuk përfshin vrasjet e akterëve politikë , që kanë ndodhur pas luftës deri në peridhën 2004”, ka thënë Abazi. Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi ka thënë, se gjyqtarët zgjidhen sipas një radhitjeje që mbështetet në kohën e punës, sukseset e treguara në punë dhe pa anësinë e tregua statusit të Kosovës. Ai ka deklaruar, se gjithë këto janë fakte për vendosje në listë dhe mbi atë hidhet shorti dhe përzgjedhen gjyqtarët. “Kjo është ana ligjore e përzgjedhjes dhe natyrisht, se në rastin e Kosovës ka gjyqtar që janë angazhuar dhe kanë punuar në Kosovë. Këta ndoshta kanë prioritet, por, sigurisht vetëm nëse kanë treguar suksese në punë dhe nuk janë thyer emrat e tyre nga politika etj. Sidoqoftë gjyqtarët do të jenë të pavarur dhe mbi bazën e fakteve dëshiroj që të punojnë. Shpresoj, shumë në këtë bazë ligjore, sepse nëse shkohet nga implikimi i UÇK –së, në ndonjë krim të bërë nga çfarëdo individi, ndryshon tërësisht qëndrimi dhe gjykata e humb efektin e vet juridik. Pradaj, nuk guxon fare që UÇK –ja, të analizohet në çfarëdo konstelacioni, sepse UÇK-ja, i takon Kosovës dhe vetëm ky vend ka të drejtë për të vendosur mbi atë, ka thënë njohësi i çështje juridike, Muhamet Kelmendi./BS


