Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq, në një takim në Beograd me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Lubomir Zaoralek, ka thënë se duhet të vazhdojë dialogu “me administratën e Prishtinës”.
Duke folur për problemet në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Nikoliq dhe Zaorálek u pajtuan se dialogu duhet të vazhdojë si dhe të ruhet siguria e plotë e qytetarëve dhe stabiliteti i gjithë rajonit, dhe se çdo përshkallëzim i problemeve mund të zhbëjë të gjitha përpjekjet që janë investuar deri më tani, raporton Tanjug.
Nikoliqi e ka falënderuar Republikën Çeke për mbështetjen e saj për Serbinë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, duke thënë se Serbia është e vendosur për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, sepse ajo beson se kjo është zgjidhja më e mirë për të arritur progres dhe standarde më të mira, pavarësisht problemeve me të cilat kjo organizatë është duke u përballur, thuhet sipas shërbimit për shtyp të presidencës së Serbisë. /GazetaExpress/


